Çdo muaj nga një foshnje e braktisur (Video)
Braktisja e fëmijëve në Kosovë ka shënuar një rënie të lehtë. Vetëm në pesë mujorin e parë të këtij viti janë braktisur pesë foshnje. Megjithatë, kërkohet që të punohet më shumë në parandalimin e kësaj dukurie.
Në Klinikën e Neonatologjisë në Prishtinë bëjnë të ditur se arsyet që nënat e reja braktisin fëmijët që nga lindja, janë kushtet e rënda sociale dhe mospranimi i fëmijës nga babai, pasi që lidhjet e tyre në të shumtën e rasteve janë jashtë martesore.Ndërsa vendet më të përshtatshme për braktisjen e foshnjave, mbeten ambientet e spitalit.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Klinikën e Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, ka thënë për KosovaPress, ka thënë se përkundër rënies që është shënuar, Klinika e Neonatologjisë vazhdon të ketë mungesë të infermierëve, pasi që kujdesi për foshnja do shumë përkushtim dhe angazhim.Ai theksoi se Klinika e Neonatologjisë përkujdeset 28 ditë për foshnjat e braktisura, të cilat pastaj kalojnë nën përkujdesjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, gjegjësisht departamentit të Mirëqenies Sociale.
Udhëheqësja e UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko Nimani, ka ngritur shqetësimet e saj lidhur me shtatzënitë e padëshiruara.
Nimani thotë se shpeshherë në mungesë të informatave ka edhe shtatzëni të adoleshenteve.Klevis Vaqari, menaxhere e programit në Rrjetin e organizatave që merren me mbrojtjen e fëmijëve (KOMF), ka folur për problemet që paraqiten në mungesë financimi për strehimoret për fëmijët e braktisur.
Për Edona Hajrullahun nga institucioni i Avokatit të Popullit, braktisja e fëmijëve mbetet një nga çështjet më të ndjeshme dhe më të rëndësishme.
Hajrullahu tha se duhet të bëhet më shumë nga ana e institucioneve për të parandaluar dukuri të tilla.
Ndryshe, gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar Ministria e Mirëqenies Sociale pati njoftuar se janë braktisur gjashtë foshnje. Ndërsa, edukimi dhe promovimi shëndetësor, informimi për shëndetin riprodhues në veçanti, si dhe qasja në mjete kontraceptive, mbeten disa nga hapat që duhet marrë shteti në evitimin e dukurisë së braktisjes së foshnjave.