23:35 / E Martë, 20 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Challandes: Prishtina është “ferr” për çdo kundërshtar

Trajneri i  Kosovës, Bernard Challandes është shprehur i lumtur me fitoren kundër Azerbajxhanit dhe ecjen tutje në Ligën e Kombeve.

“Ishte shumë me rëndësi që ndeshja të fillonte në atë mënyrë. Është mahnitëse të shënosh menjëherë. Ekipi ishte e gatshëm që të luajë, dhe të luftojë në këtë ndeshje”, ka thënë Challandes.

Ai ka thënë se Liga e Komeve është një mundësi e mirë për secilën përfaqësuese që të kualifikohet më pas shumë më lehtë për në Kampionatin Evropian.

Challandes ka thënë se stadiumi “Fadil Vokrri” është bërë një terren i frikshëm për ekipet kundërshtare, edhe për ato që do të vijnë tash e tutje.

“Është mirë kjo për motivim dhe përgatitjen. Kosova mund të përparojë. Kemi bërë lojë të jashtëzakonshme. Mendoj se kemi treguar se do të jetë shumë e vështirë për kundërshtarët që të luajnë në Prishtinë. Kundërshtari do të ketë frikë të luajë këtu. Është shumë me rëndësi kjo për të ardhmen”, ka thënë zvicerani.