21:10 / E Shtunë, 17 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Challandes vlerëson sulmin dhe kërkon të ulë euforinë te lojtarët

Kosova mori një fitore të thellë 0-5 në transfertën ndaj Maltës, falë një loje mjaft bindëse, duke hedhur në këtë mënyrë një hap të sigurt drejt ruajtjes së vendit të parë në grup.

Gjithsesi vetëm 3 ditë më pas, “Dardanët” do të presin në “Fadil Vokrri” të Prishtinës Azerbajxhanin e vendit të dytë, në një sfidë direkte për kreun e renditjes së grupit.

Pikërisht për këtë arsye, trajneri zviceran i Kosovës, Bernard Challandes, krahas vlerësimit të performancës së skuadrës së tij, ka kërkuar të ulë euforinë e lojtarëve, për të rritur përqendrimin para sfidës me Azerbajxhanin.

“Malta u mbrojt mirë, por ne zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë, duke gjetur edhe golin e parë me Muriqin, që na ndihmoi të menaxhojmë qetësisht situatën. Jam i lumtur që arritëm të shënojmë 5 herë, pasi në takimet paraardhëse kemi krijuar shumë, por nuk kemi shfrytëzuar rastet. Ndaj Azerbajxhanit do të jetë si një finale. Ata kanë një skuadër të mirë, kanë “ëndrrën gjallë” dhe do të kërkojnë të na vënë në vështirësi, ndaj duhet të ruajmë përqendrimin deri në fund të asaj sfide”, deklaroi Challandes pas ndeshjes.