18:22 / E Mërkurë, 03 Tetor 2018 / indeksADMonline

Çiftit i dështon muaji i mjaltit pasi u mashtruan nga agjensioni turistik, policia nis hetimet 

Tash e sa vite, qytetarët e Kosovës kanë nisur në numër të madh të kalojnë pushimet verore në resortet turistike të Turqisë, mundësi kjo që po u ofrohet nga agjensionet e shumta të udhëtimeve që janë në vend.

Por, po ashtu nuk janë të pakta rastet kur ndonjë agjension me qëllim të përfitimit, mashtron klientët e saj, shkruan Indeksonline.

Një rast i tillë dyshohet se i ka ndodhur edhe një çifti nga Mitrovica, i cili kishte vendosur të kalonte muajin e mjaltit në Turqi.

Klientja Q.S., me bashkëshort rezervuan pushimin përmes agjensionit turistik “Sky Travel”, me seli në Pejë. Çifti bëri pagesën më 23 prill në këtë agjension për nisjen e cila planifikohej të bëhej më 31 korrik, por që nuk u realizua asnjëherë.

Një ditë para nisjes, më 30 korrik Q.S., kishte kontaktuar me agjensionin përmes “Viber”, duke i pyetur për udhëtimin dhe se a ishte gjithçka në rregull. Por, katër-pesë orë para nisjes, klientja ishte njoftuar përmes telefonit se fluturimi për Turqi ishte anuluar, me arsyetimin banal gjoja në listën e pushuesve të hotelit, nuk figuronin emrat e tyre.

Agjensioni ka pranuar që t’ia kthej asaj një shumë të “dëmshpërblimit” dhe menjëherë i ka dërguar një kopje të një transakcionit bankar i cili asnjëherë nuk është realizuar, pasi agjensioni dyshohet se ka bërë falsifikim të dokumentit.

Indeksonline ka tentuar disa herë që të marr deklaratë nga pronarët e agjensionit, mirëpo të njëjtit nuk janë lajmëruar fare në telefon.

Uvejs Gashi, avokat i klientës e cila ka paralajmëruar se do të ngrit padi ndaj agjensionit, ka thënë për Indeksonline se para se të ndërmerrte këtë hap, u kishte dhënë kohë agjensionit që të kryej obligimet, ose do të përballeshin me ligjin.

“Pas analizimit të dokumentacionit të lëndës, me qëllim që të mos fillojmë procedura gjyqësore i kam kontaktuar dhe më pas i kam vizituar agjensionin, të njëjtëve u kam dorëzuar një shkresë dhe u kam jap afat kohor të mjaftueshëm për kryerjen e obligimeve, në të kundërtën do të iniciohen procedurat gjyqësore ndaj tyre. Pasi prapë janë treguar të papërgjegjshëm dhe nuk janë përgjigjur atëherë kemi iniciuar procedurën penale me dyshimin e bazuar të kryerjes së dy veprave penale ‘Mashtrimi’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’”, ka thënë Gashi për Indeksonline.

Ai ka theksuar se tani është në fazën përfundimtare të ngritjes së padisë në gjykatë për të kërkuar kompensim të të gjitha formave të dëmit.

“Ju besojmë organeve të rendit dhe shpresojmë që në afatin e arsyeshëm kohor klientës sime do t’i kompensohet dëmi material që i është shkaktuar, mirëpo asnjëherë nuk do të mund t’i kompensohet dëmi jomaterial pasi që nuk ka cmim që mund ta kompenson muajin e mjaltit, sepse ajo është diçka speciale që nuk nuk kompensohet me para”, ka përfunduar Gashi.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Indeksonline se ky rast është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të policisë.

Zëdhënësi i policisë rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj ka thënë se ankuesja e ka raportuar rastin e mashtrimit nga kompania, e që policia po e trajton atë.

“Është marr deklarata e ankueses. Sipas saj ka elemente se kompania ‘Sky’ e cila është me seli në Pejë nuk i ka përmbush zotimet për një udhëtim, rezervim. Por në vijim mbetet të vërtetohet prej policisë. Është kategorizuar si mashtrim, (vepër penale e mashtrimit). Në konsultim me prokurorin, është sugjeruar që të fillon hetimi për ketë raportim”, ka shtuar Ibraj. /Indeksonline/