19:10 / E Mërkurë, 12 Qershor 2019 / indeksADMonline

Clark tregon si Solana i telefonoi për ndërhyrjen në Kosovë: Forcat erdhën të armatosura për paqe

Ish-komandantin e Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Ëesley Clark, sot ka rrëfyer ngjarjen e 12 qershorit të vitit 1999 kur morën vendimin për intervenimin në luftën e Kosovës.

“Më kujtohet kjo ditë, 12 qershori, e cila ka filluar me një telefonatë në orën 01:00 të mëngjesit nga Javier Solana. Ai tha se rusët kanë arritur në Prishtinë dhe më pyeti se çfarë do të bëjmë. Ne dërguam menjëherë KFOR-in. Më 12 qershor KFOR-i ka filluar me lëvizje në Kosovë dhe unë kam qenë krenar me forcat. Ata kanë hyrë të armatosur, por kanë ardhur për paqe”, tha Clark, raporton Indeksonline.

Ai kujtoi se si në mëngjesin e ardhshëm, ishte në aeroport në Shkup dhe KFOR-i nuk ka pas shumë vështirësi falë mënyrës diplomatike të Albright.

“NATO ka qenë e suksesshme dhe kemi mundësuar kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre. E gjithë bota kishte festuar. Jemi krenar me Kosovë. Është shënuar një përparim i madh në Kosovë. Sa herë që vij këtu shoh ndërtesa të reja dhe entuziazëm të ri në këtë vend ku para disa vjetësh e ardhmja ka qenë e pasigurt, Tani po flas si një ish-gjeneral i pensionuar dhe jam biznesmen kam vizituar shumë vende në mbarë botën”, tha tutje Clark.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë ëndrrën e madhe të zgjerimit dhe pranimit të vendeve të reja.

Clarku shprehu gëzimin që NATO tanimë është zgjeruar dhe se ka një rol më të gjerë edhe në përdorimin e forcave. /Indeksonline/