10:06 / E Diele, 08 Prill 2018 / indeksADMonline

Dallimi mes deklaratave të Gjuriqit para dhe pas arrestimit

Në pasditen e 26 marsit kur i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, hyri në Kosovë pa lejen e autoriteteve kosovare, kishte mbajtur një fjalim para të pranishmëve para se njësitë speciale të policisë ROSU ta arrestonin.

Gjuriq kishte dhënë deklarata nacionaliste, duke thënë se veriu i Kosovës kurrë nuk do të jetë pjesë e Shqipërisë së Madhe.

Madje u kishte thënë serbëve të Kosovës se pa ta nuk ka zgjidhje të problemit të Kosovës.

“Dëshiroj që edhe nga këtu, Mitrovica e Kosovës të dërgojmë mesazh të qartë se Kosova dhe Metohia, veriu i Kosovës dhe Metohisë kurrë nuk do të jetë pjesë e të ashtuquajturës Kosovë e pavarur e as pjesë e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe. Projekte të tilla dhe të ngjashme i përkrahin vetëm ata të cilët dëshirojnë konflikte nëpër këto hapësira, ata të cilët nuk dëshirojnë që popujt të cilët jetojnë në këto hapësira të merren vesh dhe fëmijët e tyre në të ardhmen të jetojnë në paqe dhe të mos brengoset se a do të lëvizin të lirë, pa brenga se a do arrestohen nëse kanë mendim politik ndryshe”, kishte deklaruar Gjuriq para se të arrestohej.

Por, Gjuriq u tregua pak më i matur në deklaratat e tij dhënë mbrëmë pas hyrjes në Kosovë, leja e të cilit ishte miratuar nga organet shtetërore të Republikës së Kosovës, raporton Insajderi.

“Ne serbët në numër jemi pak, por jemi të guximshëm dhe popull liridashës dhe do të mbesim këtu në Kosovë dhe do të dimë si Serbi që ta mbrojmë popullin tonë në Kosovë, sepse këtu në Kosovë që më shumë se 1000 vjet po e ndërtojmë identitetin e tërë popullit serb. Është ndërtuar edhe në të kaluarën, po ndërtohet edhe sot dhe të jeni të sigurt që do të ndërtohet edhe në të ardhmen”, ka thënë Gjuriq.

Për më tepër, Gjuriq u arrestuar më 26 mars në veri të Mitrovicës pasi autoritetet e Kosovës ia kishin refuzuar lejen për të hyrë. Këtë nuk e kishte respektuar Gjuriqi, e cila pasoi edhe me arrestimin e tij.

Njësia speciale e policisë ROSU e kishte sjellë Gjuriqin në stacionin e policisë në Prishtinë, për ta liruar më pas në njërën nga pikat kufitare me Serbinë.