20:01 / E Shtunë, 16 Qershor 2018 / indeksADMonline

Danimarka mposht Perunë, kap Francën në krye

Danimarka ka fituar me rezultat minimal në ndeshjen e saj hapëse kundër Perusë në Kupën e Botës në Rusi të shtunën pasdite.

Kasper Schmeichel ka bërë një paraqitje për t’u mbajtur në mend duke e ruajtur portën e paprekur në fitoren 1-0 të Danimarkës kundër Perusë në Grupin C në Kupën e Botës në Rusi.

Në një ndeshje mjaft të barabartë, Peru fitoi një penallti në minutën e fundit të pjesës së parë, por Cueva e ekzekutoi atë në mënyrën më të dobët të mundshme, duke e dërguar topin lartë mbi portën e Schmeichel.

Pas një ore lojë, Eriksen i dhuroi një pasim mjeshtëror Yussuf Poulsenit, i cili shënoi me lehtësi golin që doli të jetë i tri pikëve për danezët.

Por, më meritori për këtë fitore është padyshim portieri Schmeichel, i cili në disa raste bëri pritje të jashtëzakonshme duke ua mohuar golin peruanëve.

Danimarka tani ka 3 pikë aq sa edhe Franca në Grupin C, ndërkohë që Peru dhe Australia mbesin pa pikë pas rrethit të parë.