20:00 / E Martë, 27 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Deda: Deputetët e kanë në dorë izolimin apo ecjen e Kosovës me perëndimin

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka thënë se nesër 120 deputetët kanë në dorë izolimin apo ecjen e Kosovës me perëndimin.

Deda thotë se para 3 dekadash, shqiptarët u rreshtuan kah perëndimi dhe me këtë rreshtim u arrite edhe çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, transmeton Indeksonline.

Postimi i tij i plotë:

Nesër, 120 deputetë e kanë në dorë izolimin apo ecjen e Kosovës me perëndimin. Për pasoja s’ka nevojë të shikojmë larg nesh, ato janë këtu – mund t’i shohim rreth nesh.
Para gati 3 dekadash, shqiptarët në Kosovë u rreshtuan kah perëndimi dhe me këtë rreshtim u arrit edhe çlirimi edhe pavarësia e Kosovës.
Para gati 3 dekadash, në Shqipëri po shembej një prej regjimeve më të egra komuniste në botë. “Bar do hamë, por kurrë nuk i dorëzohemi imperializmit dhe revizionizmit perëndimor” ishte parulla dhe ideologjia enveriste, me të cilën Shqipëria u mbajt e izoluar me dekada. Pasojat e atij regjimi ende shihen në Shqipëri, edhe pas 30 vjetëve.
Para gati 3 dekadash Serbia – në dehjen nacionaliste dhe shoveniste – vendosi që të konfrontohet me shtetet perëndimore që t’i “korrigjojë të gjitha padrejtësitë historike të bëra ndaj popullit serb”. Tokat dhe territoret serbe nuk mund t’i faleshin armiqëve të përbetuar me shekuj, bërtisnin gjithandej ekstremistët serbë të gjitha kategorive – politikanë, pozitë e opozitë, akademikët e ndryshëm, të shkolluarit dhe të paarsimuarit. Dihet si përfundoi dehja shoveniste dhe nacionaliste serbe.