21:55 / E Diele, 27 Maj 2018 / indeksADMonline

Delegacioni i Transportit i Malit të Zi nesër në Kosovë

Delegacioni i Transportit dhe Çështjeve Detare e Malit të Zi, udhëhequr nga Ministri, Osman Nurkoviq, pritet që nesër të vizitojë Kosovën.

Vizita e tyre në Kosovë vie në kuadër të ftesës që ka bërë Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Sipas agjendës së paraparë, menjëherë pas takimit, i cili do të mbahet në Kabinetin e Ministrit të Infrastrukturës, do të nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi me Malin e Zi, me ç’rast do të mbahet edhe konferencë për media.

Po ashtu të hënën e nesërme Ministri Pal Lekaj bashkë me Delegacionin nga Mali i Zi, do të takohen me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ministri Lekaj dhe Ministri Nurkoviq gjithashtu do t’i bëjnë një vizitë edhe urës kryesore të autoudhës R6, “Arbën Xhaferi” Prishtinë – Hani i Elezit, e cila është në ndërtim e sipër dhe pritet të përfundohet brenda këtj viti.