18:54 / E Shtunë, 30 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Demarkacioni mes ​Sllovenisë dhe Kroacisë shkakton “Luftë detare”

Sllovenia nuk raportoi asnjë incident madhor sot, në ditën e parë të ushtrimit të sovranitetit mbi gjirin e Piranit, në Detin Adriatik në përputhje me vendimin e arbitrazhit ndërkombëtar që Kroacia e kundërshton.

Në qershor, Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit të Hagës i akordoi më shumë se dy të tretat e gjirit të Piranit Sllovenisë, me qëllimin e dhënies fund të një mosmarrëveshje që daton nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Gjykata e Arbitrazhit vendosi të shtunën si datën e hyrjes në fuqi të vendimit. Por Kroacia, që pretendon gjysmën e këtij territori detar ka refuzuar arbitrazhin.

Mëngjesin e sotëm tre anije kroate peshkimi kanë hyrë në ujërat e përcaktuara për Slloveninë nga ana e Gjykatës. Ato u shoqëruan nga anije patrullimi të policisë kroate, raportuan autoritetet sllovene. Sapo janë pikasur, peshkatarët janë lutur të largohen nga zona, nën kërcënimin e një gjobe. Autoritetet kroate sqaruan se këto anije ishin duke mbledhur rrjetat e hedhura një natë më parë, dhe janë larguar më pas. “Ne po mbikëqyrim territorin detar slloven dhe po kontrollojmë situatën në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha për median një zyrtar i Ministrisë së Brendshme sllovene, Bostjan Sefic.