19:39 / E Diele, 18 Mars 2018 / indeksADMonline

Demarkacioni në fazën finale, edhe deputetët që hezitojnë do ta mbështesin këtë proces

Kryesia e Kuvendit tashmë ka caktuar seancën e Demarkacionit për ditën e martë, në orën 16:00.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj ka deklaruar se tashmë kjo çështje është në fazën finale.

Në një prononcim për Indeksonline, Nitaj ka treguar se AAK është unike në këtë çështje, duke lënë të nënkuptohet se edhe deputetja Donika Kadaj-Bujupi e cila tashmë ka kaluar në Grupin Parlamentar të AAK-së, do votojë pro Demarkacionit.

“Demarkacioni është në fazën finale. Unë besoj se kjo çështje do të përfundoj shumë shpejt. Ndoshta edhe në seancën e të martës. Ne besojmë se është krijuar baza ligjore që Kosova ta realizojë të drejtën në territorin e vet dhe tashme nuk ka arsye të qëndrueshme që të shtyhet kjo çështje. AAK është unike në qëndrimet dhe në votën e vet për këtë temë”, ka deklaruar Nitaj.

Duke u shprehur i pasigurt nëse janë siguruar 80 vota pro Demarkacionit, ai shpreson se edhe deputetët e tjerë që deri tash kanë hezituar, do ta mbështesin këtë proces.

“Nuk jam i sigurt nëse janë 79 apo 80 deputetë pro votimit të Demarkacionit, por unë shpresoj se edhe deputetë të tjerë, qoftë nga lista serbe qoftë nga një pjesë e opozitës, qe ende hezitojnë, do ta mbështesin këtë proces! Përfundimisht besoj se Demarkacioni shumë shpejt do të marrë zgjidhje”, ka thënë ai./Indeksonline/