23:50 / E Mërkurë, 01 Gusht 2018 / indeksADMonline

Demolli: AKR të propozojë një grua tjetër për ministre

Albena Reshitaj edhe zyrtarisht është liruar nga të gjitha përgjegjësitë që kishte deri më tani si Ministre e Planifikimit Hapësinor.

Reshitaj e cila dikasterin e lartëpërmendur e udhëhoqi për më pak se një vit, tha se largohet për arsye personale. Ndërkohë, që pas dorëheqjes së saj, tani në Qeverinë e Kosovës është vetëm një ministre femër.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Studime Gjinore thotë se dorëheqja e Reshitajt është një hap prapa në politikën kosovare.

“Fillimisht duhet të sqarohen shkaqet reale të dorëheqjes së Albena Reshitajt nga posti i ministres dhe të bëhet e ditur nëse ishte vullnet i saj politik apo presion partiak. Sidoqoftë, dorëheqja e njërës nga vetëm dy ministret gra në Qeverinë Haradinaj përgjithësisht është një hap mbrapa në politikën kosovare, edhe ashtu të dominuar nga burrat. “, ka thënë ajo në një prononcim për Indeksonline.

Sipas saj, akti  i vetëm i pranueshëm të cilin mund ta bëjë AKR-ja është që si zëvendësim të Reshitajt të propozojë një tjetër grua.

“Krijohet përshtypja e standardeve të dyfishta në vlerësimin e punës dhe veprimeve të ministrave burra dhe ministreve gra. Akti i vetëm i pranueshëm të cilin tash mund ta bëjë AKR-ja është që si zëvendësim të Reshitajt ta propozojë një tjetër grua, pasi kësisoj nuk do të përkeqësohej skajshmërisht proporcioni gjinor në kabinetin qeveritar, i cili edhe deri më sot ishte tejet i disfavorshëm për gratë.”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, burimet e Indeksonline kanë konfirmuar se shkarkimin e ministres e ka kërkuar partia e saj, Aleanca për Kosovën e Re (AKR)./Indeksonline/