11:03 / E Martë, 05 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Deputeti i LDK-së reagon për ndërtimin e stadiumit kombëtar në Drenas

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosvoës, Fidan Rekaliu ka reaguar për çështjen e stadiumit kombëtar i cili do të ndërtohet në Drenas.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë, gjeni më poshtë fjalimin tim të cilin kisha planifikuar ta mbajë në seancën e sotme për çështjen e Stadiumit Kombëtar. Mirëpo, deklarimet jashtë rendit të ditës në seancë, nuk u lejuan.

Të nderuar kolegë deputet, të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës.

Në vorbullën e debatit publik, dje u katapultua një Vendim qeveritar skandaloz sic ishte ai për zhvendosjen e Stadiumit Kombëtar të Kosovës nga Kryeqyteti i Republikës së Kosovës.

Stadiumi Kombëtar i Kosovës, i pari i një përmase të tillë, natyrshëm dhe me cdo kriter të mundshëm, vendin e kishte në Prishtinë. Por, përsëri, falë politikave primitive të kësaj qeverie, etjës për të treguar muskuj e arrogancë në trajtimin e projekteve investive, ata që e sponsorizuan dhe e nxitën një vendimmarrje të tillë, tentuan që Prishtinës, sic thonë këta në gjuhën e tyre, t’ja tregojnë vendin. Prishtina dhe regjioni i saj, s’ka pranuar ndonjëherë politika të muskujve dhe as që mund të disiplinohet në këtë mënyrë. Pra, më shumë se ndëshkimin e Prishtinës, ju treguat për të satën herë, mënyrën tuaj të të menduarit për politikën, demokracinë, votën e lirë, qeverisjen me punët publike etj. Mënyrë kjo e të menduarit që vendit, gjatë kohë,  i ka sjellë kaq shumë dëme por që fatmirësisht qytetarët po ja tregojnë vendin kësaj politike, për cdo ditë e më shumë.

Jam që të ndërtohen stadiume në Drenas, Skenderaj e në cdo Komunë të Kosovës, sepse për ne cdo pëllëmbë e vendit meriton respektin dhe trajtimin e barabartë. Por jo në kurriz të komunave tjera, as të dështimit të projekteve dhe kurrsesi të përdorimit të tyre për tregti politike apo financiare.

Stadiumi ishte pjesë esenciale e një projekti madhor siç është kompleksi i Qendrës Nacionale për Sport që planifikohej të ndërtohej në Bërrnicë. Tani i tërë funksioni, koncepti dhe qëndrueshmëria e një projekti kaq madhor ndikohet negativisht nga vendimi i djeshëm i Qeverisë, i cili për cudi as nuk e ka shfuqizuar një Vendimin e Qeverisë Nr. 04/178 të vitit 2014 ku përcaktohet qartë vendndodhja e stadiumit në Prishtinë. Për cudi, sot kemi dy vendime kundërthënëse në fuqi të cilat njëri thotë se Stadiumi duhet të ndërtohet në Prishtinë, tjetri në Drenas.

Për fund, dua të shprehë keqardhje time për udhëheqjen aktuale të Komunës së Prishtinës për mosreagim të duhur lidhur me këtë padrejtësi që ju bë Komunës së Prishtinës.

Dua t’i sigurojë qytetarët e Prishtinës se dita e shpresës, pra e ardhjes së LDK’së në krye të qeverisjes së vendit, nuk është e largët. Do të punojmë që asnjë qytet i Republikës së Kosovës të mos trajtohet sikurse rasti i tillë.

Ju faleminderit.