11:04 / E Diele, 07 Tetor 2018 / indeksADMonline

Dështon plani i FFK-së për të shitur online biletat e ndeshjes, Kosovë – Maltë

Kosova do të përballet me Maltën më 11 tetor në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë në kuadër të Ligës së Kombeve

Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë edhe dy ndeshje tjera në kuadër të Ligës së Kombeve në muajin tetor, fillimisht do të përballet me Maltën në Prishtinë dhe më pas me Ishujt Faroe në udhëtim, raporton GazetaMetro.

Kosova në tetor do të luajë përsëri në stadiumin që mban emrin e legjendës Fadil Vokrri, ndërsa FFK tani ka dhënë sqarime se si do të shiten biletat për këtë takim, pasi në ndeshjen e kaluar me Ishujt Faroe biletat u shitën në kohë rekorde dhe më pas të njejtat përfunduan në tregun e zi.

Një biletë që kushtonte vetëm 2 euro, në ditën e ndeshjes shitej 20 euro dhe kjo ka bërë që qytetarët të jenë tejet të pakënaqur me mënyrën se si u shitën biletat për takimin kundër Ishujve Faroe.

...

Madje kishte persona që kishin vendosur biletat në ‘Merrjep’.

FFK-ja kishte në plan që biletat për ndeshjen Kosovë-Maltë të dalin në shitje me sistem online, por ky plan ka dështuar dhe përsëri Federata do të angazhojë një kompani për shitjen e biletave.

“FFK-ja po bën përpjekje që shitja e biletave të bëhet online, por kjo kërkon kohë, ndaj edhe në ndeshjen kundër Maltës, biletat do të shiten përmes kompanisë që do ta angazhojë FFK-ja,” ka thënë për Metron, Fazli Berisha, zëdhëns i FFK-së.

Tutje Berisha ka bërë të ditur se një person do të ketë të drejt që të blejë vetëm shtatë bileta.

“Ndërkaq që në bazë të ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarje sportive, Ligji nr 05/L-075, neni 10, pika 3, që një personi nuk mund t’i shiten më shumë se 7 bileta. Prandaj ne do të monitorojmë që kjo të zbatohet me përpikëri.

Për kohën se kur do të dalin në shitje biletat për ndeshjen Kosovë-Maltë që do të luhet më 11 tetor Berisha tha se opinioni do të informohet në kohë.

“Ne besojmë dhe shpresojmë që biltetat do të dalin me kohë dhe opinioni do të njoftohet në kohë reale për një gjë të tillë,” përfundoi Berisha.

Ndryshe, Kosova është në vendin e parë në grup me 4 pikë të grumbulluara pas dy ndeshjeve të para.