17:10 / E Mërkurë, 17 Tetor 2018 / indeksADMonline

“Deutsche Welle”: Ushtria e Kosovës nuk ndryshon emërtimin

Kuvendi i Kosovës do të procedojë ligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, por pa ia ndryshuar asaj emërtimin.

Ky ndryshim, sipas DW, mund ta detyrojë NATO-n të rishikojë angazhimin e vet në Kosovë. Por, se cilat do të jenë saktësisht ndryshimet, kjo sipas aleancës më të madhe ushtarake të globit është e vështirë të parashikohet që tani.

Transformimi i FSK-së në ushtri ka qenë një çështje e debatuar në radhët e institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Kjo e fundit ka kërkuar që ndryshimet të bëhen në nivelin e Kushtetutës së Kosovës, e për këtë nevojtiet edhe aprovimi i pakicave, duke përfshirë këtu Listën Serbe. Kundërshtimi i vazhdueshëm i kësaj të fundit ka bërë që amendamentet kushtetuese të jenë të pamundura.

Në këtë situatë, të enjten do të hidhen në votim 3 ligje që kanë të bëjnë me FSK-në. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli kanë deklaruar se gëzojnë përkrahjen e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis për këtë transformim.

“Kosova e ka mbështetjen e Amerikës për ushtrinë e saj”, është shprehur Haradinaj, duke përsëritur se “kjo do t’i kontribuojë paqes në rajon”.

Serbia ndërkohë e bllokon nismën me arsyetimin se në Kosovë mund të ketë vetëm një forcë të armatosur, atë të KFOR-it, bazuar kjo në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.