18:12 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Dhurata Hoxha: Çështja e liberalizimit të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha po qëndron për vizitë në Bruksel, ku po zhvillon takime me personalitete të ndryshme sa i përket liberalizimit të vizave.

Në një intervistë për Indeksonline, Hoxha ka thënë se po punon intenzivisht që çështja e liberalizimit të hyj në agjendën e takimit të ministrave të brendshëm.

Po ashtu, Hoxha ka komentuar edhe vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për rritjen 100% ndaj taksave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Vendimi i sotëm  i qeverisë së Kosovës patjetër që është vendim i drejtë, ka pasur kohë që ne e kemi ngritur këtë çështje qoftë në mekanizmin e CEFTA-s, qoftë në mekanizmat e tjerë, gjithashtu edhe në Bruksel në takime të ndryshme, ku kemi thënë se Serbia dhe Bosnja janë duke përdorur standarde të dyfishta dhe politika të cilat prodhimet e Republikës së Kosovës po i vënë në një konkurrencë të padrejtë dhe jofer, e cila është kundër rregullave të tregut të lirë dhe CEFTA-s ku anëtare është edhe Kosova”, ka theksuar Hoxha.

Sipas saj, vendimi i sotëm është i qëlluar sepse siç thotë ajo, vërtetë ka ardhur koha që edhe produktet dhe ekonomia e Kosovës të mbrohen dhe të kenë njëfarë përkrahje.

“Ne presim që edhe Bashkimi Evropian të korrigjoj vendimet e mëhershme të marra qoftë nga Serbia apo Bosnja, të cilat e kanë vënë Kosovën në një pozitë jo të favorshme sa i përket prodhimeve të Republikës së Kosovës duke bërë politika të ndryshme”, ka shtuar Hoxha.

Ndërsa, sa i përket takimeve që ka pasur në Bruksel, ministrja ka njoftuar se sot zhvilloi një të tillë me Komisionarin Dimitris Avramopoulos, përgjegjës për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi.

Dhurata Hoxha ka bërë të ditur se çka kërkoi nga komisionari, në mënyrë që qytetarët të fitojnë sa më parë të drejtën e lëvizjes së lirë.

“Unë sot u takova me komisionerin Avramopoulos dhe kuptohet që biseduam për liberalizimin e vizave që ishte tema kryesore e takimit. Njëra ndër kërkesat e mia ishte përkrahja që ai tu dërgoj letra ministrave të brendshëm dhe tu qartësoj se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që janë kërkuar nga BE. Ne i kemi bërë punët tona dhe tani vendet anëtare do ta vendosin në votim”, ka thënë tutje Hoxha.

Sipas saj, ditët po ecin dhe Kosova është e vendosur të vazhdojë me kërkesën që procesi i liberalizimit të vizave të përfundoj sa më shpejt.

“Do të vazhdojmë deri në fund do të bëjmë përpjekje që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të futet në agjendë të Këshillit të Ministrave”, ka përfunduar Hoxha. /Indeksonline/

Temat: