22:30 / E Enjte, 25 Tetor 2018 / indeksADMonline

Dita e katërt – Detaje rreth gjendjes së 23 vjeçares të aksidentuar në Prishtinë

Pasditen e 22 tetorit, (e hënë) dy femra u goditën rëndë me veturë në Rrugën “B” në Prishtinë, ku si pasojë e plagëve të marra, njëra nga to ndërroi jetë.

Përpos viktimës L.A, tani e disa ditë për jetë është duke luftuar edhe 23 vjeçarja nga Vrella e Komunës së Istogut me inicialet F.R.

Lidhur me gjendjen e saj shëndetësore, për Indeksonline ka folur  Shefi  i Klinikes Intensive, Naim  Kuqi.

Ai tregon se çfarë intervenime i kanë bërë mjekët intensiv prej ditës që kanë pranuar të lënduarën F.R, e cila  është aksidentuar në kryeqytet, këtë të hënë.

Megjithatë, Kuqi thotë se gjendja e saj vazhdon të jetë e rëndë.

“Vetëm ditën e parë kemi bërë intervenim neuro-kirurgjik, pacientja në fjalë ka marrë lëndime të mëdha në kokë do të thotë ka pësuar lëndime të mëdha, me gjithë kujdesin tonë ajo nuk po tregon shenja të mira, pra shenja që po përmisohet sa i përket shëndetit. Me gjithë mundin tonë, gjendja e saj vazhdon të mbetet e njëjtë, gjegjësisht e pa ndryshueshme”, ka thënë Doktori Kuçi për Indeksonline.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë  të pandehurit L.M, i cili shkeli dy këmbësoret me veturë në Rrugën “B” i ka caktuar një muaj paraburgim. I njëjti do të qëndrojë në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, nga dt.22.10.2018 deri me dt.22.11.2018.

Kësisoj, Gjykata ka marrë vendim për të dyshuarin L.M, që t’i caktohet masë e ndalimit prej një muaj paraburgim, nën dyshimin e bazuar se ai duke drejtuar veturën e tij të tipit “ BMW “, kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos ju dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vend dhe me pjesën e përparme të anës së djathtë i kishte goditur në trup këmbësorët L.A dhe F.R, e si pasoj e së cilës tani e ndjera L.A kishte ndërruar jetë në QKUK-ë, kurse e dëmtuara F.R kishte pësuar lëndime të rënda trupore./Indeksonline/