20:08 / E Shtunë, 27 Tetor 2018

Edhe pas gjashtë ditëve, gjendja e të aksidentuarës në Prishtinë mbetet e rëndë!

Janë bërë gjashtë ditë që kur dy femra u goditën rëndë me veturë në Rrugën “B” në Prishtinë, ku si pasojë e plagëve të marra njëra nga to, L.A, ndërroi jetë, ndërsa për jetë është duke luftuar 23 vjeçarja nga Vrella e Komunës së Istogut F.R, (emër i njohur për redaksinë).

Për gjendjen e saj shëndetësore, ka folur Shefi i Klinikës Intensive, Naim Kuqi.

Ai ka thënë se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të mjekëve, gjendja e saj fatkeqësisht është e rëndë dhe sipas tij, nuk pritet të ketë përmisim sa i përket shëndetit të saj.

“Nuk ka ndonjë përmirësim të gjendjes e as nuk pritet të ketë. Ajo është edhe më tutje në aparat dhe me terapi intensive, ndërsa trajtimi është duke iu bërë ashtu siç edhe duhet t’i bëhet”, ka thënë Kuqi për Indeksonline.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë  të pandehurit L.M, i cili shkeli dy këmbësoret me veturë në Rrugën “B” i ka caktuar një muaj paraburgim.  I njëjti do të qëndrojë në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, gjegjësisht nga dt.22.10.2018 deri me dt.22.11.2018.

“…Vendimi është marr nën dyshimin e bazuar se ai duke drejtuar veturën e tij të tipit “ BMW “, kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos ju dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vend dhe me pjesën e përparme të anës së djathtë i kishte goditur në trup këmbësorët L.A dhe F.R, e si pasoj e së cilës tani e ndjera L.A kishte ndërruar jetë në QKUK, kurse e dëmtuara F.R kishte pësuar lëndime të rënda trupore”, thuhej në njoftim të gjykatës./Indeksonline/

(Foto balline ilustruese)