16:05 / E Mërkurë, 10 Tetor 2018 / indeksADMonline

Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor, Valon Murati jep kritika e këshilla për të ndihmuar këtë shtresë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor. Për këtë, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka dhënë kritika e sygjerime pasi që sipas tij kjo shtresë e shoqërisë në Kosovë është lënë anash.

Murati ka thënë se personat që i takojnë kësaj shtrese dihet të punësohen dhe të integrohen në shoqëri.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor, e edukimit për shëndetin mendor, për ngritjen e vetëdijes, avokimin dhe luftimin e stigmës që shoqëria prodhon për këtë kategori të shoqërisë. Ajo që është evidente dhe mund të shihet me sy, është se në qytetet tona, e këtë mund ta flas me përgjegjësi të plotë për Prishtinën, është shtuar jashtëzakonisht shumë numri i njerëzve me probleme të shëndetit mendor të cilët sillen rrugëve dhe jetojnë pas asnjë përkujdesje qoftë institucionale, por si duket çdo herë e më pak edhe familjare. Është koha, që të gjithë, duke filluar nga institucionet qendrore e tek ato komunalet, nga komuniteti, familjet e tek qytetarët të mobilizohemi dhe këtë çështje ta trajtojmë me shumë më shumë seriozitet se që është trajtuar deri më tani.

Lënia e personave të tillë pa asnjë kujdes, përveç që është shenjë e një degradimi të thellë institucional e shoqëror në këtë drejtim, mungesë humanizmi e empatie njerëzore, herë pas here përbën edhe rrezik sidomos për jetën e fëmijëve por edhe të rriturve. Institucionet tona do të duhej të mobilizoheshin që të krijonin më shumë kushte dhe hapësira për trajtim të specializuar në institucionet e shëndetit mendor, të krijonin më shumë hapësira për trajtimin e tyre në hapësirat e dedikuara për ta në komunitet, e së bashku edhe me shoqërinë civile do të duhej të punohej më shumë në ngritjen e vetëdijes tek familjet tona për trajtimin e problemeve të shëndetit mendor tek anëtarët e familjes që në fazat e para të shfaqjeve të tyre.

Përfshirja e mekanizmave të tjerë, të cilët do të ndihmonin punësimin e tyre dhe integrimin në shoqëri të atyre që janë rehabilituar do të ishte një hap tjetër me rëndësi për zvogëlimin e pasojave që këto sëmundje bartin pastaj jo vetëm për individin, por edhe për familjen dhe shoqërinë. Një pjesë e rëndësishme e angazhimit, ndoshta më e rëndësishmja do të duhej të përfshinte jo vetëm identifikimin që në fëmijëri të shenjave të para të sëmundjeve mendore dhe trajtimin e tyre me kohë, por edhe rritjen e përkujdesit për fëmijët që në institucionet parashkollore e në tërë fazat e shkollimit formal. Gjithashtu është për keqardhje që deputetët refuzuan kërkesën për financim për angazhimin e mësuesve shtesë për fëmijët me aftësi të kufizuara (përfshirë ata me probleme të shëndetit mendor). Duhet angazhim serioz gjithashtu për krijimin e kushteve për një shoqëri më të drejtë, më të barabartë e më të zhvilluar, ku fëmijët do të rriteshin pa streset e jetës së përditshme dhe traumat që mund të marrin për shkak të gjendjes së rënduar socio-ekonomike të familjes dhe mundësisë të konflikteve dhe shkatërrimit të saj” shkruan Murati në Facebook.

Temat: