10:25 / E Mërkurë, 30 Shtator 2020 / C E

Djali i Michael Schumacherit, këtë javë, debuton në Formula 1, por jo me Ferrari

Djali i Michael Schumacherit, Micku, do të bëjë debutimin e tij në Formula 1 para tifozëve të Nurburgringut, më 9 tetor.

Piloti i akademisë së Ferrarit, 21 vjeç, babai i të cilit është legjendar shtatë herë kampion bote, do të bëjë deburimin në ngjarjen kryesore në garën e ardhshme në kalendar.

Schumacheri do të ngasë për Alfa Romeo në seancën e parë të praktikës në Grand Prix të Eifeli, ndërsa rivali i tij në F2, Callum Ilotti, një anglez, do të jetë pas timonit të një Haasi.

Një talent tjetër i F2, Robert Shwartzmani, do të ketë shansin e tij në garën e fundit të sezonit në Abu Dhabi.

Është një moment historik për Schumacher dhe vjen pikërisht në qytetin e tij të lindjes.

“Unë jam shumë i lumtur që e kam këtë shans në praktikë të lirë. Fakti që pjesëmarrja ime e parë në një fundjavë të Formula 1, do të zhvillohet para audiencës sime në Nurburgring e bën këtë moment edhe më të veçantë”, ka thënë Mick Shchumacheri.

Nurburgringu aktualisht nuk është pjesë e F1, por është shtuar këtë vit në një orar shumë të ndryshuar për shkak të koronavirusit. /IndeksOnline/