23:57 / E Hënë, 29 Maj 2023 / C E

Djokovic vazhdon me deklarata skandaloze: Kosova është kala e jona, më dhemb shumë për situatën e krijuar

Novak Djokovic po vazhdon me deklarimet e tij skandaloze kundër shtetit të Kosovës.

Në “French Open” ai sot shfaqi një mesazh ku thuhej: “Kosova është zemra e Serbisë! Ndaloni dhunën”.

Por, duket se kjo për të nuk mjaftoi. Tenisti serb shfrytëzoi paraqitjen në konferencën për media pas fitores ndaj Aleksandar Kovacevic, që të vazhdojë me propagandë politike, për çka edhe është i njohur.

“Si serb më dhemb shumë kjo që po ndodhë në Kosovë. Njerëzit tanë po dëbohen nga komunat. Më e pakta që mund të bëjë ishte kjo. Ndjehem përgjegjës si person publik dhe djali i një njeriu që ka lindur në Kosovë. Ndjej nevojën të tregoj mbështetje për gjithë Serbinë. Nuk e di se çka sjell e ardhmja për popullin serb dhe Kosovën, por është shumë e nevojshme të tregohet përkrahje”, tha ai.

“Nuk e di çka do të ndodhë, e di që ka pasur pyetje nga gazetarët ndërkombëtarë se a do të më dënojnë. Nuk kam asnjë pendesë, do ta bëja sërish. Jam kundër luftës dhe konflikteve, këtë e kam treguar gjithnjë. Situata me Kosovën është precedent sipas kartës së OKB-së dhe të gjitha të drejtave. Më vjen keq për situatën në të cilën jemi. Kosova është vatër e jona, kala e jona. Atje është bërë beteja më e madhe, atje ndodhen manastiret më të rëndësishme. Arsyet janë të shumta e sidomos pasi ajo është e vërteta”, shtoi 36-vjeçari.

Kujtojmë se Federata e Tenisit e Kosovës ka njoftuar se do të kërkojë dënimin e Djokovicit nga ana Federatës Ndërkombëtare të Tenisit.