Doku i stresuar duke parë debatin për të, ka kërkuar largim nga kampi i Belgjikës?!
Futbollisti i Belgjikës, Jeremy Doku, është vënë në qendër të vëmendjes gjatë Kupës së Botës 2026, mes spekulimeve se mund të largohet përkohësisht nga kampi i kombëtares për të qenë i pranishëm në lindjen e djalit të tij.
Sipas një personi të afërt me lojtarin, Doku po i ndjek me “ankth dhe shqetësim” debatet dhe komentet e shumta që janë krijuar rreth kësaj çështjeje në opinionin publik evropian, shkruan Indeksonline

Burime pranë futbollistit kanë bërë të ditur gjithashtu se anësori belg po përballet aktualisht me një problem respirator, ndërsa kanë mohuar kategorikisht zërat se mungesa e tij e mundshme në ndeshjen ndaj Iranit lidhet me lindjen e afërt të fëmijës së tij.
Debati shpërtheu pasi në media u raportua se Doku mund të largohej përkohësisht nga kampi i Belgjikës për të qenë pranë familjes në një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij personale.
Komentet e gazetares franceze France Pierron e intensifikuan edhe më shumë diskutimin. Ajo deklaroi se një Kampionat Botëror është një mundësi e rrallë dhe se asnjë futbollist nuk duhet ta humbasë një përvojë të tillë, duke argumentuar se qindra lojtarë do të bënin gjithçka për të qenë pjesë e një ngjarjeje të këtij niveli.
Megjithatë, deklaratat e saj kanë shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale. Një pjesë e tifozëve mendojnë se familja duhet të jetë prioritet mbi gjithçka, ndërsa të tjerë besojnë se përfaqësimi i kombëtares në Kupën e Botës është një privilegj që nuk duhet lënë pas dore./Indeksonline/

