22:43 / E Enjte, 06 Tetor 2022 / Gj. Sh

Dorëzohet FFK-ja, lejon që Prishtina të luaj në ”Fadil Vokrri”

Federata e Futbollit e Kosovës duket se është pajtuar që Prishtina ta luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” ndeshjen e radhës në Superligën e Kosovës.

FFK-ja kishte kërkuar që të mos shfrytëzohet nga kryeqytetasit stadiumi në fjalë për muajin tetor, pasi u tha se gjendja e fushës nuk është e mirë dhe se nuk i plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve.

Kjo kërkesë nuk u përfill nga Prishtina, e cila, megjithatë nuk ia doli ta zhvillonte ndeshjen e javës së nëntë, kundër Trepçës ’89 – pasi Komisioni i Garave vendosi pastaj për shtyrjen e kësaj ndeshje.

Në fundjavë do të zhvillohet java e dhjetë në Superligë dhe Prishtina sërish është nikoqire, ku të shtunën e pret Dukagjinin e Klinës.

FC Prishtina përmes faqes zyrtare e ka paralajmëruar zhvillimin e kësaj ndeshjeje, ashtu siç ka bërë edhe KF Dukagjini.

E duket se me këtë është pajtuar edhe Federata e Futbollit e Kosovës, që sot, përmes sajtit zyrtar, ka zbuluar emrat e zyrtarëve të caktuar për ndeshjen në fjalë.

Krahas emrave, FFK ka konfirmuar se kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 20:00.

Kujtojmë se pikërisht të shtunën, nga ora 16:00 do të luhet ndeshja e turneut kualifikues U17 për Evropianin 2023, në mes Italisë dhe Finlandës, e cila është e planifikuar që gjithashtu të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.