Drama me pjesëtarët e FSK-së, sqarimi për trysnin nga Beogradi
Ndonëse në disa media është raportuar se rreth 20 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb nga rajoni i Gjilanit kanë paraqitur kërkesë për t’u larguar nga ky institucion, ndryshe po del të jetë e vërteta.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për “Indeksonline” ka shpjeguar gjithë situatën zëdhënësi për informim i FSK-së, Ibrahim Shala.
Ai ka bërë të ditur numrin e saktë të kërkesave të këtyre pjesëtareve me arsyen e largimit nga institucioni në fjalë.
“Te ne kanë paraqitur 8 persona, (tetë) pjesëtarë të FSK-së të komunitetit serb kanë kanë paraqit kërkesë për me u largu nga FSK-ja. Për numër tjetër ne nuk kemi mirëpo nuk do të thotë që kjo nuk mund të ketë rritje”, ka thënë Shala.
Më tej, zyrtari i FSK-së ka theksuar se çdo pjesëtarë i FSK-së pajisjet me kontratë. Sipas tij, kërkesa e tyre për hyrje apo dalje shqyrtohet me kohë nga personat përgjegjës.
“Hyrja në FSK është vullnetare edhe dalja është vullnetare. Pjesëtarët e FSK-së kanë një kontratë me FSK-në dhe të njëjtit bëjnë një kërkesë për dalje nga FSK-ja, kërkesa fillimisht shqyrtohet sipas rregullores dhe ligjeve që ka FSK-ja. Afati i shqyrtimit shkon deri në gjashtë muaj”, ka deklaruar ai për Indeksonline.
Në fund, Shala shton se pjesëtarët në fjalë këto kërkesa i bëjnë për shkak të presionit që kanë nga Serbia përkatësisht Beogradi. Sipas Shalës, presioni iu bëhet të njëjtëve dhe po ashtu familjeve të tyre.
Ndryshe, Forca e Sigurisë është themeluar në vitin 2009, sipas Planit gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, të presidentit Marti Ahtisaari, në bazë të së cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës.
Rikujtojmë, se FSK-ja numëron më shumë se 2000 pjesëtarë, prej të cilëve 200 u përkasin komuniteteve pakicë, kurse 100 nga komuniteti serb./Indeksonline/