21:37 / E Mërkurë, 17 Janar 2018

Drejtoresha nuk paraqitet në punë, kryetari i kësaj komune e liron nga detyra

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka liruar nga pozita e drejtoreshës së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lumturie Mehmetin.

Tahiri ka bërë të ditur se kjo ka ndodhur pasi që Lumturie Mehmeti nuk është paraqitur në vendin e punës që nga emërimi i saj si drejtoreshë e Kulturës me 27 dhjetor.

‘Kjo ka ndodhur pasi që ajo ka vazhduar jetën e saj në Gjermani. Në kohën kur e kemi emëru ajo ka qenë në Gjermani por ka menduar që do të kthehet’’, tha Tahiri.

Ai po ashtu shtoi se ky vendim është marrë me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që Mehmeti ishte anëtare e kësaj partie.

“Është propozim nga Lëvizja Vetëvendosje pasi që e kanë kuptuar që ajo nuk do të kthehet në Kosovës të paktën për një periudhë kohore’’, tha Tahiri për kallxo.com.

Kryetari po ashtu shtoi se emërimi i ri do të bëhet shumë shpejt.

‘Shumë shpejt do të bëhet emërimi i ri vetëm po presim propozimin nga Lëvizja Vetëvendosje pasi që është drejtori që u takon atyre dhe kandidatja e re do të jetë nga kjo parti’’, theksoi ai.

Tahiri ka bërë të ditur se në krye të kësaj Drejtorie do të jetë grua.