15:58 / E Premte, 11 Shtator 2020 / indeksADMonline

Drejtuesi i kamionit humbet kontrollin, merr para mbi 10 makina

Ishte një pasdite e qetë në një nga autostradat e Kalifornisë, por brenda pak sekondave, situata mori një kthesë të papritur. Krejt rastësisht, kamera e vendosur në një makinë Tesla ka regjistruar një aksident të frikshëm.

Shihni me vëmendje kamionin në ngjyrë portokalli. Makina Tesla, ku është vendosur kamera, ndërron korsi dhe ngadalëson shpejtësi për shkak të trafikut para saj dhe ky është momenti i përplasjes së parë. Kamioni merr fillimisht përpara një BMW të zezë, më pas një Sedan dhe të tjerat me radhë. Fërkimi i parë shkakton më pas një përplasje zinxhir me më shumë se 10 makina njëra pas tjetrës. Aksidenti i frikshëm bllokoi për më shumë se 2 orë autostradën pasi mbetjet e makinave të shkatërruara u përhapën kudo.

Ajo çka mbeti më pas ishin copëzat e makinave, disa të shkatërruara, disa të shtypura, disa të përgjysmuara nga përplasja e fortë. Në orët në vijim, mes kaosit në trafik, policia konfirmoi se një motorist kishte ndërruar jetë gjatë aksidentit ndërsa 2 drejtues mjetesh u dërguan në spital. Policia nisi hetimet për ngjarjen ndërsa ka përjashtuar pistën e konsumimit të alkoolit nga ana e shoferit të kamionit.