Dy talentë kosovarë drejt futbollit zviceran, përzgjidhen nga SR Delemont
Futbollistët e rinj kosovarë, Olt Ademi dhe Dior Hajrullahu, kanë bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tyre, pasi janë përzgjedhur nga klubi zviceran SR Delemont për t’u bërë pjesë e ekipit nga sezoni 2026/27.
Dy 17-vjeçarët, së bashku me Albin Sejdiun (19 vjeçar), morën pjesë në një kamp dhe proces vëzhgimi profesional në Zvicër, i organizuar nga skautë dhe menaxherë zviceranë të futbollit, shkruan Indeksonline

Gjatë periudhës 19-22 maj, lojtarët zhvilluan stërvitje dhe ndeshje testuese në rajonet Solothurn, Neuchatel dhe Biel/Bienne, ku paraqitjet e tyre tërhoqën vëmendjen e ekspertëve dhe skautëve të pranishëm. Pas vlerësimeve profesionale, ata janë përzgjedhur për t’iu bashkuar SR Delémontit nga edicioni i ardhshëm, ndërsa aktualisht po zhvillohen procedurat për dokumentacionin dhe lejet e qëndrimit.

SR Delémont konsiderohet klubi kryesor dhe më me traditë në kantonin Jura të Zvicrës. Klubi garon në Promotion League, ligën e tretë më të fortë të futbollit zviceran pas Superligës dhe Challenge League. Bëhet fjalë për një kampionat me nivel gjysmë-profesional dhe profesional, i menaxhuar drejtpërdrejt nga Federata Zvicerane e Futbollit, ku garojnë edhe ekipet U-21 të klubeve të njohura si Zurich, Basel, Young Boys dhe Lugano.

Vlen të theksohet se procesi i vëzhgimit kishte nisur muaj më parë, kur tre përfaqësues nga Zvicra – një i autorizuar nga Federata Zvicerane e Futbollit dhe dy menaxherë futbolli – kishin qëndruar në Kosovë për të ndjekur nga afër ndeshje kampionale të të rinjve. Pikërisht pas këtyre vlerësimeve u vendos që futbollistët të ftoheshin për prova profesionale në Zvicër.
Ky sukses konsiderohet një tjetër dëshmi e potencialit që posedojnë talentët kosovarë dhe e mundësive gjithnjë në rritje për depërtimin e tyre në futbollin evropian.

Një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij bashkëpunimi kanë pasur edhe bashkatdhetarët Feti Sadiku dhe Skender Fuga, të cilët kanë shërbyer si urë lidhëse mes palëve dhe janë kujdesur për organizimin gjatë qëndrimit të lojtarëve në Zvicër.
Po ashtu, merita të veçanta i atribuohen trajnerit Sadat Sejdiu për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar ndër vite në zhvillimin e futbollistëve të rinj./Indeksonline/

