18:46 / E Enjte, 25 Janar 2018 / indeksADMonline

E quajti zagar, ‘Kamishi’ ia kthen me diplomaci Lushtakut!

Përçarja e partive politike po duket të jetë bërë trend në skenën politike në Kosovë. Pas Vetëvendosjes, në rend është Dega e PDK-së në Skenderaj. Kjo pasi kryetari i kësaj Dege së bashku me Kryesinë mori vendim që të shkarkojë shtatë anëtarë, vendim i cili është marrë me vota unanim të anëtarëve.

Brenda këtyre shtatë anëtarëve bënë pjesë edhe nënkryetari i kësaj dege, Bekim Haxhiu, i njohur për opinionin si ‘Kamishi’.

Sipas ngjarjeve të fundit, ka pasur disa konflikte në mes të Samiut dhe Bekimit. Lushtaku sot ka ofenduar rëndë Haxhiun duke e quajtur madje ‘zagar’ i cili dëshiron të fshehtë pas njerëzve tjerë.

Lidhur me këtë çështje,  Indeksonline ka kontaktuar menjëherë deputetin e PDK-së Haxhiun, për të mësuar se cili është reagimi i tij.

Haxhiu ka treguar se si profesor universitar, deputet dhe invalid i UÇK-së është rritur në një familje ku gjithë jetën është folur për edukatë, arsimim, humanizëm dhe atdhedashuri.

Sa i përket ofendimit të Lushtakut që i bëri, Haxhiu thekson se kushdo qoftë që përdorë fjalor të tillë nuk i takon një qytetari të ndërgjegjshëm.

“Andaj, nuk komentoj në nivele të tilla. Megjithatë ju e keni parë se dje 70%, ndërsa sot janë afro 80% e  nëndegëve dhe seksioneve të PDK-së në Skenderaj që i kanë dhë përgjigje gjoja atij “vendimi”, duke e kundërshtuar qartazi dhe duke mos iu nënshtruar diktateve të atyre që nuk po kontribuojn për të mirën e PDK-së. Kushdo që përdorë fjalor të tillë nuk është nivel i imi dhe as i një qytetari të ndërgjegjshëm, nuk kam koment tjetër”, është shprehur Haxhiu për “Indeksonline”.

Ndryshe, kujtojmë se pas një mbledhje Kryesia e Degës së PDK-së në Skenderaj e cila udhëhiqet nga Lushtaku me vota unanim të anëtarve mori vendim që të shkarkojë shtatë anëtarë të saj./Indeksonline/