12:54 / E Mërkurë, 23 Tetor 2019 / indeksADMonline

Ekonomia gjermane, në recesion!?

Ekonomia gjermane mund të ketë hyrë në recesion edhe pse jo të thellë dhe këtë e thotë Bundesbanka, banka qendrore gjermane, sipas së cilës, produkti i brendshëm bruto mund të jetë reduktuar sërish tremujorin e tretë të 2019-s, pas -0.1 përqindëshit të tremujorit të dytë, me eksportet që vazhdojnë të bien dhe treguesit e besimit që nuk mundësojnë një kthesë të shpejtë.

Një vend hyn në recesion nga këndvështrimi teknik kur për dy tremujorë radhazi GDP-ja bie. Pikërisht kjo mund të ndodhë edhe në Gjermani. Sidoqoftë, në rastin gjerman, një recesion në kuptimin e një rënieje domethënëse, në shkallë të gjerë, i zgjatur, nuk parashikohet, shkruan Bundesbanka.

“Parashikimet ekonomike gjermane mund të reduktohen pakëz në tremujorin e tretë”, shkruhet në buletin. “Arsyeja kryesore është zgjatja e ngadalësimit të industrisë së orientuar për eksport”, vazhdon raporti.

Në po të njëjtën kohë, banka qendrore gjermane lëshon alarmin për shpenzimet e shtetit, veçanërisht për pensionet. Sipas saj, mosha për pension pleqërie në Gjermani duhet të rritet deri në 69 vjeç e katër muaj. Rënia e lindshmërisë dhe presioni demografik, shpjegojnë ekspertët, do ta nënshtrojnë sistemin përballë presioneve të forta në të ardhmen, veçanërisht duke filluar nga 2020.

Reforma e fundit në sistemin e pensioneve në Gjermani i takon 2012 dhe ka rritur në mënyrë progresive moshën e daljes në pension nga 65 në 67 vjeç. Por instituti pretendon se kjo reformë nuk do të jetë e mjaftueshme dhe se punëtorët aktivë të lindur më 2001 të mund të maturojnë pensionin e pleqërisë vetëm në moshën 69 vjeçe e katër muaj.