10:02 / E Shtunë, 24 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ekonomisti serb: Bizneset tona janë goditur nga taksa, ja sa milionë do t’i humbim!

Vendosja e taksës në masën 100% për gjitha produktet e Serbisë ka nxitur reagime të shumta në Beograd. Përpos politikanëve, për këtë rast është deklaruar edhe Dhoma e Tregtisë në Serbi të cilët janë shprehur të zhgënjyer me vendim e Qeverisë “Haradinaj”.

Kryetari i kësaj dhome, Aleksandër Radonoviq ka deklaruar se  taksa në fjalë ka dëmtuar në masë të madhe bizneset serbe. “Kjo masë ka prekur shumicën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, u shpreh ai, transmeton Indeksonline

Përpos bizneseve, Radonoviq aludoi se masa për produkte ka prekur në mënyrë direkte gjithë konsumatorët që jetojnë në Republikën e Kosovës.

“Ato janë të drejtuara kundër të gjithë qytetarëve në Kosovë, pasi paratë nuk e dinë se cila kombësi është blerësi”, është deklaruar ai.

Më tej, kreu i Dhomës Ekonomike shpjegoi se për vetëm një vit Serbia ka përfituar mbi 400 milionë euro nga Kosova, ndërsa këtë vit ishte parashikuar edhe më shumë.

“Vitin e kaluar kemi pasur shitje të mallrave me përftim rreth 442 milionë euro. Ndërsa këtë vit planifikimi ishte për shitjen e mallrave me vlerë mbi 500 milionë euro” , është shprehur Radonoviq, duke shtuar se taksa do të jetë pengesë e madhe për të arritur këto shifra.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se marrja e vendimit për rritjen e taksës është veprim i zorit, pasi sipas tij Serbia e ka bllokuar Kosovën.

“Ne e kemi bërë një analizë të marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia. Malli i Kosovës ka pas vështirësi me hy në Serbi, çdo produkt që ka hy është analizuar, e ka penguar transportin. E ka penguar ani pse ne jemi ankuar disa herë. Kjo është një masë legjitime që e ka marrë Kosova, e kemi paralajmëruar se kjo mund të rritet”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq theksoi se taksa është “tepër e shqetësuese për pozitën e serbëve në Kosovë si dhe për sigurinë në rajon”.

Këto masa e “bllokojnë praktikisht tregtinë mes Serbisë dhe Kosovës“ dhe se “Prishtina ka për qëllim të dëbojë serbët dhe të detyrojë Beogradin të kapitullojë“. Presidenti i Serbisë i dërgoi lutje shqiptarëve të Kosovës që të tërheqin këtë vendim. “Ju lus sikur Zotin, që të tërhiqni këto masa”, tha ai me shpjegimin se “të gjithë kemi nevojë për paqe”. /Indeksonline/

 

Temat: