12:15 / E Shtunë, 21 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ekskluzive: Pacolli nuk niset për në Serbi

Kryediplomati i Kosovës, Behgjet Pacolli nuk do të udhëtojë për në Serbi, pasi që këta të fundit kanë refuzuar t’i japin lejën që Pacolli ta realizojë vizitën në Novi Pazar me rastin e Forumit të Boshnjakëve që kanë organizuar në Sanxhak. Ndonëse ishte paralajmëruar që Ministri i Punëve të Jashtme të shkojë si një qytetarë i Kosovës, një gjë e tillë nuk do tëbëhet.

Burimet e sigurta të Indeksonline brenda MPJ-së bëjnë të ditur se Pacolli me përfaqësuesit e tij në momentin e fundit kanë marrë vendim që mos të nisen për në Serbi.

Ndryshe, së fundi MPJ lëshoi një reagim lidhur me mos-lejën që Serbia i bëri Ministrit, Pacolli për të shkuar në Serbi.

Sipas tyre, ky rast tregon përsëri se Beogradi nuk është i angazhuar të respektojë Marrëveshjet e Brukselit dhe shkakton tensione të panevojshme për të parandaluar vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës në territorin e Serbisë.

“Ne, sot jetojmë në shekullin, ku lëvizja e lirë e njerëzve është e drejtë fundamentale e njeriut dhe cdo shtet e Qeveri duhej ta respektoj atë. 
Kosova ka respektuar këto të drejta me përkushtim të madh dhe do t’i respektoj gjithmonë derisa mos të abuzohet me to, si në shumë raste që ka ndodhur në të kaluarën me mysafirët nga shteti fqinj verior”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Kujtojmë, se udhëtimi  i Pacollit në Novi Pazar ishte i paraparë të zhvillohet në orët e pasditës, por kjo u prish pasi shteti serb nuk i dha lejen për një gjë të tillë./Indeksonline/