10:33 / E Premte, 20 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ekstradohet kosovari i kërkuar nga Shqipëria për tentim vrasjen e Lul Berishës

Ahmet Ajeti, 35-vjeç nga Torina e Lipjanit, i cili u arrestua në vitin 2016 nga Policia e Kosovës, pasi i njëjti ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet në Shqipëri me dyshimin për tentim vrasjen e me pagesë të Lul Berishës, e ndodhur në vitin 2005, është ekstraduar në Tiranë, transmeton Indeksonline.

Autoritetet shqiptare kanë njoftuar se nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Kosova drejt vendit Shqipërisë, i shtetasit, Kosovar, Ahmet Ajeti , 35 vjeç, lindur në Lipjan/ Kosovë.

Sipas policisë së Shqipërisë, më datë 30.08.2005, shtetasit Ahmet Ajeti dhe O. K. të porositur nga shtetasit E. D. dhe A.C., kanë shkuar nga Tirana në Durrës për të vrarë shtetasin L. B. Para se të kryhej atentati në afërsi të lokalit ku ndodhej L. B., shtetasi Ahmet Ajeti është konfliktuar me disa persona të panjohur dhe në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën dhe është vetplagosur.

Shtetasi Ahmet Ajeti është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më datë, 07.03.2016, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin nr. 01 datë 16.01.2012, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Armëmbajtje pa leje” .

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Policinë e Kosovës, u bë i mundur arrestimi i tij në Kosovë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij.

Indeksonline muajin e kaluar kishte raportuar përkitazi me këtë rast./Indeksonline/

U arrestua në Kosovë për tentimvrasje në Shqipëri, që dy vjet nuk ekstradohet!