17:28 / E Enjte, 12 Tetor 2017 / indeksADMonline

Ekzekutorët morën 60 mijë euro për vrasjen e çiftit shqiptar

Policia greke ka dhënë të enjten detaje për vrasjen e çiftit shqiptar në Pereisteri të Athinës, në muajin shkurt.

Për këtë ngjarje, policia ka arrestuar katër persona, dy shtetas shqiptarë dhe dy grekë, ndërsa po kërkohet dhe një tjetër shtetas shqiptar, që sipas policisë, është njeri nga dy porositësit e ekzekutimit të çiftit Thanas dhe Eleni Çuri.

Shefi i drejtorisë së sigurimit publik të Athinës, gjeneral lejtnant Christos Papazafeiris, doli para gazetarëve të enjten në një deklaratë për shtyp.

Siç rezultoi nga hetimet, dy porositësit i kishin një borxh të madh financiar viktimës dhe për këtë arsye porositën ekzekutimin e atij, por edhe të bashkëshortes, duke u paguar vrasësve nga 30.000 euro për secilën prej viktimave.

Kjo ishte dhe arsyeja që vrasësit i lanë të gjallë djalin invalid dhe vajzën 17 vjeçare të viktimave.

Ekzekutorët e ishin porositur të ekzekutonin vetëm 53 vjeçarin që i kishin borxhin, si dhe gruan e tij, me qëllim që të mos linin dëshmitarë.

Drejtuesi i policisë greke tha se gjithë të arrestuarit e kanë pranuar fajësinë e tyre dhe kanë prëshkruar me saktësi gjithë veprimet dhe rolin që kishte secili në këtë ngjarje.

Më 3 shkurt 2017, çifti Thanas dhe Elena Çuri, ishin goditur me armë zjarri nga persona që kishin mësyrë në banesën e tyre. Gruaja vdiq në vend, ndërsa bashkëshorti ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital./oranews