16:23 / E Hënë, 26 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ende e paqartë nëse i kanë numrat për të kaluar demarkacioni

Seanca e së mërkurës, ku në rend dite është ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi po afrohet, por ende e paqartë mbetet nëse subjektet politike që kanë nënshkruar një marrëveshje i kanë numrat për kalimin e tij, apo jo.

Konsensusi i arritur mes koalicionit qeveritar dhe LDK-së, nuk siguron numrat e nevojshëm për kalimin e demarkacionit. Pasi që koalicioni PDK-AAK-NISMA ka 39 deputetë, LDK-Alternativa 29 dhe minoritetet tjera përjashtuar Listën Serbe i ka 11 deputetë, që përbëjnë 79 vota. Ndërkaq për kalimin e demarkacionin nevojitet 81 vota.

Bazuar në këta numra pra në 79 vota të deputetëve, duhen dhe dy vota të tjera për kalimin e demarkacionit. E duke u bazuar në deklaratat e deputetit të PDK-së Nait Hasani, i cili ka deklaruar se nuk do ta votojë, atëherë numri i votave për kalimin e demarkacionit bie në 78 dhe se duhen dhe tri vota të tjera, për kalimin e demarkacionit.

E Lista Serbe e cila ka 9 deputetë, nuk ka shprehur gatishmëri që të jetë prezent në seancat e Kuvendit ku në rend dite ishte demarkacioni. Përfaqësuesit e kësaj liste, në dy seancat e jashtëzakonshme që u mbajtën nuk kanë marrë pjesë. Madje kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seancë, ku pritet të votohet demarkacioni.

E lideri i PDK-së, Kadri Veseli ka deklaruar për media, se janë disa deputetë në radhët e VV-së, nga të cilët pret që të votojnë pro demarkacionit.

Por me gjithë përpjekjet që të hënën të ketë një përgjigjje nga deputetët e pakënaqur të VV-së, që janë në krahun e Dardan Molliqajt, e për të cilët aludohet se mund të japin votën e tyre, për t’i bërë numrat që demarkacioni të kalojë, një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Disa nga këta deputetë s’kanë pasur qasje në telefon. E të tjerët nuk kanë preferuar që t’i përgjigjen kësaj pyetje. Ata po preferojnë të heshtin dhe votën e tyre, ta bëjnë të ditur, vetëm në seancën e së mërkurës.

Ndërkaq Lëvizja VV dhe lideri i saj Albin Kurti, nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket demarkacionit. Ata vazhdojnë të kundërshtojnë fuqishëm kalimin e këtij projektligji në Kuvend.

E të gatshëm për përgjigje, nuk kanë qenë as përfaqësues të Listës Serbe të cilëve ditë me radhë u është drejtuar pyetja, se a do të jenë pro apo kundër demarkacionit.

Kështu që bazuar në këto deklarata, ende mbetet e paqartë, se janë apo jo numrat që demarkacioni të kaloi në seancën e së mërkurës, pasi që duke i llogaritur deputetët që janë deklaruar pro duhen dy apo dhe tri vota, që demarkacioni të kalojë. Megjithatë mbetet të shihen të mërkurën se janë apo jo numrat që kjo çështje të marrë fund.