10:58 / E Diele, 11 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ende pa plan për parkingun nëntokësor në Prishtinë

Ndërtimi i parkingut nëntokësor pritet të fillojë në fund të muajit dhjetor, ndërsa punimet janë paraparë të zgjasin një vit e gjysmë. Por komuna e Prishtinës krahas kësaj ende nuk e ka projektin se si do duket ky parking dhe sa do të kushtojë.

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri ka deklaruar se janë në fazën kualifikuese për përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do investojë në këtë projekt.

Sipas tij, gjatë konsorsiume janë në garë për parkingun nëntokësor në Prishtinë.

Tutje ai tha se ky parking do ketë kapacitet për parkimin e 500 deri të 900 veturave, derisa në plan është që të ndërtohet edhe parku qendror mbi të.

Sipas Tahiri, ky parking i cili pritet të përfundojë brenda 18 muajve do e lehtësojë  shumë trafikun rrugor në kryeqytet.

Por ndryshe mendon njohësi i çështjeve të trafikut rrugor, Muhamed Krasniqi, i cili thotë se ndërtimi i parkingut në qendër të qytetit do krijojë edhe më shumë vështirësi në trafik.

Sipas tij, fillimisht duhet të gjendet zgjidhje se si të orientohen automjetet drejt parkingut e më pastaj të ndërtohet ky parking, pasi nëse ndodhë e kundërta do krijohen kushte të pafavorshme për ngasësit e veturave.

Edhe arkitekti Ilir Gjinolli beson se një mos planifikim i duhur rreth ndërtimit të parkingut nëntokësor tek Fakulteti i Filologjisë, kryeqytetit mund t’i kushtojë me krijim të tollovive në trafik.

Gjinolli ka këshilluar komunën që të jetë e kujdesshme për planin e këtij parkingu, pasi siç tha ai një parking i tillë duhet të kontribuojë në jetën publike të kryeqytetasve.

Kurse, partia më e madhe opozitare në Kuvendin komunal të Prishtinës, LDK,  ndërtimin e parkingut nëntokësor te Fakulteti i Filologjisë e ka konsideruar si projekt të dështuar, pasi që ende nuk dihet se sa do investojë komuna në këtë projekt publiko-privat.

Asambleistja nga radhët e LDK-së, Fiknete Bejta mendon se keqmenaxhimi është pika e dobët e qeverisjes së Shpend Ahmetit.

Ndonëse e konsiderojnë të nevojshme krijimin e sa më shumë parkingjeve në Prishtinë, banorët e kryeqytetit nuk po pajtohen me hapësirën se ku është përzgjedhur të ndërtohet parkingu nëntokës.

Mirsad Morina thotë se nuk është e nevojshme që një parking i tillë të jetë në mes të qytetit.

Ai ka sugjeruar që një parking i tillë më mirë do ishte të bëhej në lagjen e Ulpianës.

Edhe Ekrem Marevci pajtohet se hapësira se ku është përzgjedhur të ndërtohet parkingu nëntokësor nuk është e duhur.

Ai madje thotë se e gjithë infrastruktura rrugore në kryeqytet është e paplanifikuar për shkak të mungesës së vizionit për këtë çështje nga ana e udhëheqësve të deritanishëm.

Mirëpo, ndërtimin e këtij parkingu në qendër të kryeqytetit e ka mirëpritur Ekrem Krasniqi, i cili tha se parkingjet në kryeqytet duhet të shtohen.

Ndryshe, komuna e Prishtinës për ndërtimin e parkingut nëntokësor ka ndarë një sipërfaqe prej 13.990 metra katrorë te Fakulteti i Filologjisë dhe parashihet të ndërtohet në 2 etazhe.