18:13 / E Martë, 17 Tetor 2023 / LB

Është koha që t’i kthehemi Kosovës, dikur me pushkë për të mbrojtur nga pushtimi, tani për ta zhvilluar ekonomikisht

Shkruan: Isak Neziri

Nga përvoja ime si afarist në Gjermani, nga qindra të rinj kosovarë që kam punësuar dhe bisedat e lira që kemi zhvilluar për Kosovën dhe mundësitë për zhvillim, e kam parë që të rinjtë e kanë kuptuar që sa më shumë që vijnë në Evropë aq më shumë e kuptojnë që e ardhmja e tyre është Kosova. 

Fokusi jonë si diasporë dhe afaristë duhet të jetë ngritja profesionale e të rinjve, përgatitje e tyre për tregun e punës, konkurrent me tregun evropian, zhvillimi i shkathtësive të punës dhe pastaj tërë atë background dhe kapital të fituar në diasporë ta investojmë në Kosovë, në hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Pra, gjithë këtë përvojë që marrim në evropë, gjithë atë kapital dhe rrjet të kooperimit në biznes ta kthejmë në mundësi për zhvillim të Kosovës, përmes investimeve që duhet të bëjmë secili nga ne në vendlindjen tonë.

Liberalizimi i vizave nuk mundëson punësim në zonën schengen por gjithësesi është një mundësi e mirë që të rinjtë realitetin e evropës ta shohin për së afërmi dhe të binden që edhe Kosovën mund ta bëjmë vend të mundësive. Kjo sigurisht kërkon mund dhe sakrificë por këtë ia kemi borxh secili nga ne.

Është koha që t’i kthehemi Kosovës, dikur me pushkë për të mbrojtur nga pushtimi, sot për ta zhvilluar ekonomikisht e për ta bërë konkurrente në tregun evropian.

Bashkë!