15:37 / E Diele, 08 Tetor 2017 / indeksADMonline

Famulltari flet se si duhet të sillet Kisha me Paradën e LGBTI

Më 10 tetor, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë do të mbahet parada e Krenarisë për komunitetin LGBTi.

Gazeta Express ka kontaktuar, ndër të tjerët, Bashkësinë Islame dhe Ipeshkvinë e Kosovës për të marrë vesh nëse janë ftuar për pjesëmarrje në këtë paradë.

Express është interesuar gjithashtu të marrë mendimin e një njohësi të teologjisë rreth kuptimit që ka organizimi dhe mbajta e një Parade nga komuniteti LGBTi.

Don Jetoni, famulltar në Kishën e Stubllës, thotë se nga këndvështrimi i tij,  parada nuk është e nevojshme të mbahet.

Ai shton se nuk do të merrte pjesë në një organizim të tillë, në asnjë rrethanë, pos nëse personave nga ky komunitet do t’u cenoheshin të drejtat, çka sipas tij, nuk po ndodh.

“Do të merrja pjesë vetëm atëherë kur ata ose ato do të luftoheshin padrejtësisht nga shoqëria dhe, kur për shkak të këtyre qëndrimeve, atyre do t’u shkeleshin të drejta të tjera elementare të pacenueshme. Gjë që tani për tani mendoj që nuk ekziston ky problem”, ka thënë prifti.

Lidhur me qëndrimet të cilat mbajnë bashkësitë fetare ndaj komunitetit LGBTi, prifti thotë se nuk duhet të kenë as fobi nga komunitetet në fjalë, por as nuk duhet që të kenë frikë që të shprehin mendimet e tyre dhe të interpretojnë ato që feja i thotë.

“Unë mendoj që shoqëria ne përgjithësi, ashtu edhe bashkësitë e ndryshme fetare, nuk duhet të kenë fobi ndaj personave në fjalë, por në tjetrën anë, shoqëria, bashkësitë fetare, apo grupet e caktuara nuk duhet te kenë frikë gjithashtu të shprehin mendimin dhe doktrinat e tyre fetare, morale ne te cilat besojnë, edhe atëherë kur ato shkojnë kundër një grupi te caktuar”, ka thënë ai.

Por sipas tij, e rëndësishme është që e gjithë kjo te bëhet duke respektuar personin njerëzor, mos të ketë gjuhë të urrejtjes, diskriminimi dhe etiketimit.

Don Jetoni ka shpjeguar se si e sheh doktrina katolike homoseksualizmin dhe çfarë qasjeje ka Kisha Katolike ndaj përsonave me orientim seksual ndaj gjinisë së njëjtë, duke thënë se “një dukuri e tillë është manifestuar në forma të ndryshme gjatë shekujve”.

“Tradita e krishterë gjithmonë është deklaruar së aktet e tilla janë akte të çrregullta. Janë kundër ligjit natyror. Përjashtojnë gjatë aktit seksual dhuratën e jetës, prandaj dhe nuk guxojnë të jenë të miratuara, te pranueshme”, është shprehur prifti.

“Por Kisha, ne ketë rast, nuk e ndalon që personat homoseksualë të jenë gjithnjë të shoqëruar nga Kisha dhe përkundrazi ndalon diskriminimin ose gjykimin e tyre. Kisha gjykon aktet, domethënë mëkatin, e jo personin. Personi duhet shpëtuar, shëruar”, shton më tej ai.

Don Jeton Thaçi tregon se raporti seksual mes gjinisë së njëjtë, sipas fesë katolike, është mëkat.

“Është mëkat. Është mëkat sepse shkon kundër ligjit të Zotit, kundër ligjit të natyrës dhe asaj që na ka mësuar Kisha me doktrinën e vetë gjatë tërë historisë së saj”, thotë ai.

Megjithatë, Don Jetoni cek se kisha nuk ka interpretime të ashpra ndaj homseksualëve apo komuniteteve të tjera të LGBTi’së. Sipas tij, doktrina kishtare e trajton në mënyrë objektive homoseksualizmin. Ndërsa, mënyra se si interpretohen më tej, ai thotë se varet nga mentalitetet që kanë vende të ndryshme.

“Ndoshta ne te kaluarën ka pasur qëndrime te ashpra, e ne vende te caktuara mund të ketë edhe sot e kësaj dite. Por këto janë me shume çështje mentalitetesh te vendeve te caktuara sesa çështje doktrinare”, thotë Don Jetoni.

Ai mbështetet në atë që thotë kreu i Kishës Katolike në botë, duke thënë se nuk guxon që askush ta gjykojë askënd.

“Personi meriton gjithmonë respektin pavarësisht prej përcaktimit të tij/saj. Ne fakt Kisha nuk eshte e thirrur te gjykojë askend. Vetem Zoti ka drejte te gjykojë ndergjegjen e njeriut”, ka përfunduar ai./express

Temat: