Federata e Futbollit të Belgjikës reagon pas vendimit rreth Balogun
Një moment kontravers ndodhi para ndeshjes SHBA-Belgjikë.
Kjo për shkak të yllit të SHBA-së, Folarin Balogun të cilit i është hequr suspendimi pas kartonit të kuq që mori ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës.
Flitet se ka pasur ndërhyrje nga Shtëpia e Bardhë rreth kësaj çështje, me presidentin Donald Trump që thuhet se kontaktoi Gianni Infantinon.
Kjo bëri që të reagonte edhe Federata e Futbollit të Belgjikës.
“Pasi mësoi nëpërmjet raportimeve në media për vendimin e FIFA-s për të hequr pezullimin automatik të lojtarit Balogun, RBFA i dërgoi një letër FIFA-s duke kërkuar një kopje të vendimit, një shpjegim të procesit që ishte ndjekur dhe duke përcaktuar qëndrimin e saj në lidhje me rregulloret në fuqi. Si përgjigje të vetme, FIFA i dërgoi një letër RBFA-së duke deklaruar se e konsideronte këtë korrespondencë si një apel, se ishte emëruar një gjyqtar dhe se RBFA kishte vetëm disa orë për të përfunduar atë apel. FIFA nuk dha asnjë informacion. Për të qenë të qartë, deri në këtë moment, RBFA ende nuk ka marrë ndonjë vendim apo shpjegim nga FIFA në lidhje me këtë çështje. Prandaj, nuk ka alternativë tjetër veçse të kundërshtojë të drejtën e lojtarit për ndeshjen e ardhshme. Pavarësisht rezultatit sportiv të kësaj ndeshjeje, RBFA është thellësisht e shqetësuar nga rrjedha e ngjarjeve dhe do të vazhdojë të luftojë në orët, ditët dhe muajt në vijim në mbrojtje të parimeve themelore të etikës, konkurrencës së ndershme dhe interesave të futbollit në tërësi”, shkruhet në njoftimin e tyre.
Ndeshja SHBA-Belgjikë, do të luhet në orën 02:00 pas mesnate./IndeksOnline/

