10:28 / E Hënë, 09 Tetor 2017 / indeksADMonline

Federata e Islandës shtron darkë për delegacionin kosovar

Presidenti Federatës së Futbollit të Islandës, Guðni Bergsson, ka shtruar një darkë për delegacionin e Federatës së Futbollit të Kosovës, presidentin Fadil Vokrri, nënpresidentin Agim Ademi, anëtarin e KE, Bakir Burri dhe menaxherin e ekipit kombëtar, Bajram Shala, në njërin prej restoranteve më të vjetra të kryeqytetit islandez, njofton Federata e Futbollit të Kosovës.

Darka kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht miqësore, ku presidenti Bergsson pasi iu dëshiroi mirëseardhje në Rejkjavik, e falënderoi edhe një herë presidentin Vokrri për mikpritjen e bërë në Shkodër në ndeshjen e parë, derisa gjatë darkës u shkëmbyen përvoja të ndryshme gjatë karrierës së tyre, por edhe mbi historinë dhe traditat e të dyja vendeve.

“Mikpritja juaj në Shkodër më ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme dhe tashmë kemi krijuar një miqësi të ngushtë. E çmoj shumë punën dhe entuziazmin tuaj për ta zhvilluar futbollin në vendin tuaj. Keni lojtarë shumë të mirë, si në aspektin teknik edhe në atë taktik dhe jam i sigurt se rezultatet pozitive do t’iu vijnë shumë shpejt. Uroj që të keni suksese sa më shumë në të ardhmen”, ka theksuar presidenti Bergsson, i cili më pas në shaka ka thënë se këtë sukses nuk ua dëshiroj në ndeshjen e nesërme.

Ai shprehu dëshirën që në të ardhmen Kosova dhe Islanda të bashkëpunojnë edhe më shumë dhe të luajnë edhe ndeshje miqësore. Ndërkaq, presidenti i FFK-së e falënderoi homologun e tij për mikpritjen e ngrohtë dhe u shpreh i hapur për bashkëpunim të mëtutjeshëm me Federatën islandeze dhe për zhvillimin e ndeshjes miqësore.

“Ju përgëzoj për përparimin që e keni bërë në futboll dhe sigurisht se Islanda si një vend i vogël do të jetë model edhe për ne që ta ndjekim rrugën e saj të suksesshme. E di që jeni afër kualifikimit dhe ju uroj për këtë sukses, por sigurisht se ndeshja e nesërme do të jetë mjaft e fortë dhe e paqartë”, ka thënë Vokrri.

Në fund të darkës të dy presidentët i uruan fat kombëtareve respektive në ndeshjen e nesërme dhe sipas traditës u shkëmbyen edhe dhurata.