15:56 / E Hënë, 06 Korrik 2020 / C E

Federata spanjolle mbledh “burrat”, do të flasin për referimin në ndeshjen Bilbao – Real Madrid

Komiteti i Gjyqtarëve i Federatës së Futbollit të Spanjës është mbledhur për të diskutuar rreth incidenteve në ndeshjen e së dielës mes Athletic Bilbaos dhe Real Madridit në La Liga.

Real Madridi e mundi 1:0 Bilbaon falë një penalltie kontroverse të shndërruar në gol nga Sergio Ramos, duke e ruajtur epërsinë prej katër pikëve në krye të renditjes ndaj rivalit, Barcelonës.

Përveç akordimit të një penalltie kontroverse në favor të Real Madridit, gjyqtari Gonzalez Gonzalez u kritikua edhe për mos veprim ndaj Sergio Ramosit, i cili u duk ta ketë faulluar Raul Garcian në zonë momente më vonë.

Këto dy vendime ishin kontroverse dhe nxitën reagime nga lojtarët e Bilbaos dhe madje nga presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, të cilët sugjeruan se VAR-i është i njëanshëm duke i ndihmuar Real Madridit.