16:51 / E Hënë, 02 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

FFK-ja me standarde të dyfishta kundrejt Ministrisë së Sportit

5 ditë më parë Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës doli me një reagim të çuditshëm në mbështetje të presidentit Agim Ademi.

Njëra ndër pikat kryesore me të cilët FFK-ja tenton të mbrojë vendimin për zgjedhjen e Ademit kryetar me mandat 4 vjeçar është si vijon:

“Në Kuvend ishin prezent delegatë nga UEFA, nga FIFA, MKRS, KOK, Federatat tjera etj. dhe kanë raportuar për një Kuvend jashtëzakonisht të qetë, të rregullt ligjërisht dhe pa asnjë kundërshtim apo vërejtje”.

Ndryshe, FFK-ja duke ftuar përfaqësues të Ministrisë së Sportit në Kuvend deklaroi se e njeh legjitimitetin e këtij institucioni, shkruan Indeksonline.

Sot, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka thënë se FFK-ja duhet të shkojë në zgjedhje pasi që ka pasur shkelje në zgjedhjet e zhvilluara më 14.06.2018.

Pas kësaj, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu e ka quajtur “turp” këtë interpretim të MKRS-së.

“Nëse këtë e ka bë ministria atëherë duhet të jetë një turp i madh për ta. Asnjë institucion publik nuk ka të drejtë të ndërhyjë në FFK pasi që jemi organizatë joqeveritare” ka thënë Salihu për Gazetën Olle.

Tashmë Arianit Ahmeti është zyrtarizuar si kandidati që do të synoj drejtimin e FFK-së. Ai ka deklaruar se posedon nënshkrimet e 41 nga 59 delegatët, dhe së shpejti pritet të thirret Kuvendi i jashtëzakonshëm. /Indeksonline/