15:24 / E Hënë, 29 Maj 2023 / B O

FFK reagon për dy ndeshjet e Superligës, u përfol se kishte dallavere

Në fundjavë u përmbyll edicioni i rregullt i garave 2022/23 në Albi Mall Superligë. Dy ndeshjet e javës së fundit, Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça’89-Prishtina u përfol se kishte dallavere për shkak se dy skuadrave të fundit iu nevojiteshin pikët për mbijetesë.

Në reagimin e FFK-së thuhet se çdo pretendim që vërtetohet do të ndëshkohet me ashpërsi në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret përkatëse.

“FFK-ja i ka marrë të gjitha informacionet relevante për dy ndeshjet më të përfolura të kësaj xhiroje, Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça’89-Prishtina.

Pas përfundimit të këtyre ndeshjeve, organet përkatëse të FFK-së, në përputhje me rregulloret e brendshme dhe aktet normative të UEFA-së, kanë ndërmarrë masat e duhura dhe kanë filluar procesin e mbledhjes së deklaratave dhe dëshmive nga të gjithë zyrtarët e këtyre ndeshjeve për t’i adresuar dhe shqyrtuar ato me seriozitet maksimal.

Njëherësh, FFK reagon me ashpërsi ndaj çdolloj njollosje që i bëhet me deklarata të ngutshme dhe akuzuese, derisa është e vendosur për të ruajtur imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës, pas të gjitha investimeve që ka bërë për një garë sa më “fair-play”. FFK nuk do të lejojë që individë, grupe apo kushdo tjerë të prishin imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës.

FFK është e hapur për bashkëpunim me të gjitha organet dhe i inkurajon ato për hetim të detajuar për çdo pretendim të parregullt në kampionat. Tashmë, FFK-ja i ka informuar organet relevante të Republikës së Kosovës dhe u ka ofruar bashkëpunim në adresimin e mëtejmë të kësaj çështje.

Federata, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport, e nëpërmjet tij edhe me Prokurorinë e Shtetit, do të angazhohet maksimalisht për hetimin e të gjitha pretendimeve për kurdisje të ndeshjeve dhe prishje të “fair-play”. Çdo pretendim që vërtetohet do të ndëshkohet me ashpërsi në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret përkatëse.

FFK do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim maksimal për të mbrojtur integritetin e garave dhe imazhin e futbollit të Kosovës në përgjithësi. Në këtë kontekst, Federata fton të gjithë protagonistët e futbollit, si zyrtarët, lojtarët, trajnerët, tifozët dhe mediat, që të angazhohen në promovimin e vlerave sportive dhe respektimin e rregullave të lojës.

Vetëm duke vepruar në përputhje me parimet e “fair-play”, futbolli ynë mund të vazhdojë të rritet dhe të jetë sporti më i popullarizuar në vend, prandaj duhet të punojmë të gjithë së bashku që dukuritë e këqija të mos zënë vend në futbollin tonë” thuhet në reagimin e FFK-së./Indeksonline/