11:13 / E Hënë, 04 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Fidan Aliti flet për transferimin e tij te Kalmar

Pas një viti e gjysmë te Skënderbeu, mbrojtësi nga Kosova, Fidan Aliti u transferua te skuadra e Kalmarit, ku firmosi për 4 vite.

Në një lidhje direkte për emisionin “Zona Gol” në “Supersport”, mbrojtësi 25-vjeçar, për veç të tjerave nuk nguroi të fliste edhe për ngjarjen e shëmtuar në Fushë-Krujë, që Aliti do ta kujtojë gjatë, pasi rezulton edhe ndeshja e fundit me fanellën e Skënderbeut.

“2018 ishte një vit shumë i rëndësishëm për mua. Menaxheri Shkumbin Qormemeti më bindi të shkoja te Skënderbeu. Falënderoj atë dhe presidentin Takaj që ka bërë shumë për të gjithë futbollin shqiptar, Skënderbeun dhe Korçën.

Nuk dua të flas për detaje ngjarjen e shëmtuar në Fushë-Krujë. Është gjynah për sportin e për futbollin që të flas për ato gjëra që kanë ndodhur. Aty ishin policë që u larguan. Lojtarë si Radas dhe Vangjeli kanë bërë shumë për futbollin shqiptar dhe nuk e meritonin të trajtoheshin ashtu”, u shpreh Aliti.

Mëngjarashi ndau opinionin e tij në lidhje me transferimin te klubi suedez i Kalmarit, gjithashtu zbuloi se ishte shumë pranë transferimit te Malmo.

“Para pak ditësh isha shumë afër transferimit te Malmo, por më pas folëm me drejtorin e Kalmarit, i cili më bindi. Unë e shoh shumë të rëndësishme që të jem pjesë kryesore e ekipit, prandaj vendosa të vij te Kalmari. E shoh këtë kalim si një trampolinë për të ardhmen. Nuk kam folur me Etrit Berishën, por kam biseduar me ish-trajnerin e Kosovës, Albert Bunjakin, i cili më parë ka qenë në postin e asistentit te Kalmari. Ai më foli shumë mirë për këtë ekip”, u shpreh Aliti.