15:07 / E Shtunë, 11 Gusht 2018 / indeksADMonline

Fjalimi i plotë i Nexhmedin Spahiut në Novi Pazar

Analisti kosovar, Nexhmedin Spahiu ka folur në Novi Pazar, ku është e rëndësishme çështja të përmisohen raportet mes serbëve e shqiptarëve, po ashtu serbëve e boshnjakëve si dhe të thellohen marrëdhëniet e mira mes shqiptarëve e boshnjakëve, të cilat kanë qenë jashtëzakonisht të mira historikisht.

Fjalimi i plotë i Nexhmedin Spahiut:

Të dashur miq, Urime ditëlindja e 28 e SDA-së, dhe ju dëshiroj punë të mbarë

Javën e kaluar unë është dashtë të marr pjesë në një tribunë këtu në Novi Pazar  së bashku më z/kryeministrin e Kosovës z. Behxhet Pacolli, gjë e cila nuk ndodhi e që ishte një rast i shkëlqyeshëm që të përmirësohen raportet mes serbeve e shqiptareve, raportet mes serbeve e boshnjakëve si dhe të thellohen marrëdhëniet e mira mes shqiptarëve e boshnjakëve, të cilat kanë qënë jashtëzakonisht të mira historikisht.

Ky ishte një rast që u humb, dhe të shpresojmë që në të ardhmen të mos humben raste të tilla, po të shfrytëzohen në të mirë të gjithë regjionit.

Presidenti Vučić, ka bërë një hap të madh kur ka shkuar në Srebrenicë dhe është përkulur para viktimave të Srebrenicës.

Ky është një hap i madh drejt pajtimit dhe vendosjes së mirëbesimit mes serbëve e boshnjakëve.

Por pajtimi i vërtetë mes serbëve dhe boshnjakëve do të ndodhë kur Presidenti Vučić, së bashku me Dr.Sulejman Uglaninin do të zbulojë përmendoren e madhe të Aqif Efendisë (Blytës) në qendër të Novi Pazarit. Sepse po të mos ishte Aqif Efendija (Blyta) Novi Pazari do t’ishte Srebrenicë para Srebrenicës. Nuk do të ishit gjallë ju, sepse nuk do të ekzistonin prindërit tuaj, e as ta që kritikojnë Dr.Sulejman Uglaninin për vendosjen e pllakës përkujtimore të Aqif Efendisë e as prindërit e tyre.

I zihet për të madhe Aqif Efendisë (Blytës) se ka bashkëpunuar me gjermanët.

Ai që e thotë këtë nuk e di historinë e Ballkanit, d.m.th. nuk e di historinë e Luftës së Dytë Botërore  në territoret e ish-Jugosllavisë.

Po kush nuk ka bashkëpunuar me gjermanët në atë kohë?

Kanë bashkëpunuar çetnikët, kanë bashkëpunuar partizanët, ka bashkëpunuar natyrisht edhe Milan Nedić (kryetari Serbisë nën pushtimin gjerman), e ka bashkëpunuar edhe Aqif Efendija (Blyta).

Çetnikët kanë bashkëpunuar me gjermanët kundër partizanëve gjatë Republikës së Uzhicës, Kurse partizanët kanë bashkëpunuar me gjermanët  kundër çetnikëve gjatë Betejës së Neretvës.

Të gjithë ju e keni parë atë filmin propagandistik “Beteja për të plagosurit” por natyrisht aty nuk tregohet e vërteta e kësaj beteje.

E vërteta e kësaj beteje është se çetnikët të cilët deri atëherë ishin forca kryesore antigjermane në ish-Jugosllavi, e që ishin të ndihmuar nga anglezët dhe amerikanët, tentuan që të shkonin në Neum, për t’u takuar me anglezët e amerikanët që pritej të zbarkonin aty nga Italia.

Tito bashkëpunoi me gjermanët dhe i vuri në kurthë çetnikët dhe i shkatërroi ata. Dhe tani ia zënë për të madhe Aqif Efendisë që ka bashkëpunuar me gjermanët, e nuk ia zënë për të madhe shokut Tito që ka bashkëpunuar me gjermanët, nuk ia zënë për të madhe Draža Mihajlović-it, që po ashtu ka bashkëpunuar me gjermanët dhe që tani së fundmi është rehabilituar me vendim gjykate.

Natyrisht, kështu do të duhej të rehabilitohej edhe Milan Nedić, I cili ka e ka shpëtuar popullin e vet (serb) nga shfarosja në ato kohë të turbullta të Luftës së Dytë Botërore

Dhe derisa të gjithë këta kanë bërë krime kundër njëri tjetrit dhe kundër civilëve, Aqif Efendija (Blyta) nuk ka bërë  asnjë krim ani pse ai akuzohet në literaturën serbe si kriminel lufte.

Por profesor Ismet Azizi e ka bërë një disertacion, ku e ka shfletuar gjithë literaturën serbe për Aqifin dhe nuk e ka gjetur as edhe një krim të vetëm konkret që te ketë bërë Aqif Efendija (Blyta). Edhe pse Aqifi është pushkatuar nën akuzën si kriminel lufte.

Thuhet se Aqif Efendija (Blyta) ka marrë dekoratë nga Hitleri, se është takuar me Hitlerin etj.

Kjo nuk është e vërtetë, por edhe sikur të ishte e vërtetë nuk do t’i ndryshonte gjerat.

Ai që është takuar me Hitlerin dhe që kishte marrëdhënie të mira me Hitlerin, ishte ambasadori I Mbretërisë së Jugosllavisë në Berlin, shkrimtari Ivo Andrić.

Ju mësoni në shkollë se Ivo Andrić ka qenë një shkrimtar i madh, një shkrimtar i mirë, por nuk mësoni se ai ka qenë në raporte të mira me Hitlerin, ndërsa për Aqif Efendinë (Blytën) kjo po thuhet.

Natyrisht, duhet që sa më parë të bëhet vendimi I gjykatës, që ky personalitet të rehabilitohet dhe t’i ndërtohet një përmendore e madhe në qendër të Novi Pazarit.

Kam dëgjuar disa akuza se Shoqata “Kosova për Sanxhakun” po punon në shqiptarizimin e Sanxhakut.

Kjo nuk është e vërtetë. Shoqata “Kosova për Sanxhakun” është krijuar për të vënë lidhjet mes Kosovës e Sanxhakut, pa marrë parasysh etninë e sanxhaklinjëve. Qofshin këta boshnjakë, serbë, shqiptarë apo kushdo tjetër.

Sanxhaku është regjioni më i afërt me Kosovën, dhe në cilindo vendosje të normalizimit të raporteve me Serbinë, për çka ne angazhohemi, në rend të parë është bashkëpunimi me ata që i kemi më afër, jo vetëm me boshnjakët por edhe me serbët.

Natyrisht, më parë do të bashkëpunojmë me serbët e komunave fqinje me Kosovën se sa me serbët e Vojvodinës. Dhe kjo është e natyrshme.

Së këndejmi është e natyrshme që Kosova të ketë bashkëpunim normal me Sanxhakun i cili gjendet pranë saj, dhe me të cilin ka lidhje gjaku, historie, kulture e tradite dhe më të cilin ka pasur raporte të shkëlqyera dhe të cilat duhet të zhvillohen edhe me tutje për të mirën e të gjithëve.

Ju faleminderit që më dhatë mundësinë të ju flas, dhe ju dëshiroj sukses në punë.