17:41 / E Hënë, 15 Tetor 2018 / indeksADMonline

Fotoreporteri i IndeksOnline, fitues i çmimit ‘Fotografia më e mirë e varfërisë 2018’

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë UN Kosovo Team sot kanë ndarë çmimet e gazetarisë për storien më të mirë mbi varfërinë 2018.

Në mesin e pesë çmimeve ishte edhe ajo  ‘Fotografia më e mirë’, ku fitues doli fotoreporteri i portalit IndeksOnline, Jeton Sopa.

Fotografia e Sopës u vlerësua si më e mira, imazh i cili rrëfen varfërinë, vuajtjen, dëshpërimin, dhe të ardhmen e pa shpresë të familjes Selimi që jeton në qendër të Prishtinës.

Ndryshe fituesit e tjerë janë:

– Çmimin për video-storiën e shkurtër më të mirë për vitin 2018 e ka fituar gazetarja, Merita Neziri, nga mediumi Klan Kosova me storien “Policia shpëton tre fëmijë në Gjilan”.
– Çmimin për Dokumentarin më të mirë televiziv e ka fituar gazetarja Kaltrina Rexhepi – Dragusha, nga mediumi RTK me dokumentarin “Fëmija Nënë”.
– Çmimin për Audio-storiën më të mirë e ka fituar gazetarja, Majlinda Doda, nga mediumi Radio Kosova me audio storien “Migrimi dhe varfëria”.
– Çmimin për Storiën e shkruar më të mirë e kanë fituar gazetaret, Besa Kalaja dhe Leonida Molliqaj nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese “Preporter” me tregimin “Mos u plaksh”.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve mbi varfërinë kanë marrë pjesë edhe Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson si dhe kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli – Pustina.

Kjo është ceremonia e trembëdhjet e ndarjes se çmimeve për arritjet më të mira në gazetari për temën e varfërisë 2018./Indeksonline/

 

 

 

Temat: