08:22 / E Martë, 04 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Franca kërkon mënyra për të ndaluar demonstratat

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka kërkuar kryeministrit francez, Edouard Philippe, të takohet me krerët e partive politike dhe përfaqësuesit e të ashtuquajturve “xhaketa të verdha”, në përpjekje për të zbutur tensionet që shpërthyen në protesta të dhunshme gjatë fundjavës.

Rreth 36,000 vetë morën pjesë në protesta në të gjithë vendin të shtunën, por edhe pse pjesëmarrja ishte më e ulët se dy fundjavat e mëparshme, protestuesit u përleshën me policinë, duke ngritur dhe djegur barrikadat e po ashtu edhe duke djegur veturat.

Trazirat janë transformuar nga mosmarrëveshjet në lidhje me rritjen e çmimeve të gazit dhe eko-taksave në një demonstrim më të gjerë kundër Macron, qeverisë së tij dhe tensioneve midis elitës metropolitane dhe të varfërve ruralë, raporton CNN.

Duke folur në një radio në Francë, zëdhënësi i qeverisë franceze, Benjamin Griveaux, tha se qeveria po shqyrtonte “të gjitha opsionet” për të parandaluar “shpërthime serioze të dhunës”, duke përfshirë shpalljen e një gjendje të jashtëzakonshme.

Në këto protesta pothuajse u arrestuan 400 persona, ndërsa të vdekur kanë mbetur katër persona që kur demonstrimet filluan më shumë se dy javë më parë, tha policia të dielën.