18:40 / E Hënë, 07 Maj 2018 / indeksADMonline

FSK tregon orën e saktë kur u gjet trupi i Armend Trenës

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përsëritur komunikatën me të cilën konfirmoi për gjetjen e trupit të pajetë të policit, Armend Trena.

Pasi që njëherë u tha se trupi i Trenës u gjet në orën 15:40, FSK tani përmes një njotimi shtesë ka sqaruar për opinionin publik se trupi është gjetur në orën 16:50, transmeton Indeksonline.

“Njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe AME-së (Agjencisë së Kosovës për Emergjenca) sot në orën 16:50,  në kilometrin e 6-të (në hyrje të Hanit të Elezit)  nga vend i aksidentit në lumin Lepenc,  kanë gjetur  trupin e pa jetë  të policit Armend Trena”, thuhet në përsëritjen e komunikatës së MFSK-së.

Ndërkaq, Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu  tha për Indeksonline se trupi i Armend Trenës pasi të njoftohet prokurori me shumë gjasë do të dërgohet për obduksion nesër.

Rikujtojmë se policët Armend Trena e Malsor Dashi pësuan aksident mbrëmjen e së shtunës së 28 prillit në rrugën  Kaçanik-Hani Elezit, kur po lëviznin me veturën zyrtare të policisë dhe ranë në lumin Lepencë prej një lartësie mbi 100 metra./Indeksonline/