75 Mall Live Search
21:25 / E Mërkurë, 30 Maj 2018 / indeksADMonline

Fundi i një misioni

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX), të cilit i përfundon mandati pas dy javësh, do të qëndroj në Kosovë edhe për një kohë. Por pas këtij afati, EULEX-i do të jetë i pranishëm në Kosovë si monitorues i disa lëndëve gjyqësore, shkruan Indeksonline.

Zëdhënësja e këtij misioni, Donika Berisha- Rizaj ka sqaruar për Indeksonline çka do të bëhet me EULEX-in pas 14 qershorit.

“Mandati aktual i Misionit të EULEX zgjatë deri më 14 qershor 2018. Për periudhën pas qershorit 2018, formati i saktë dhe numri i punonjësve të EULEX-it janë në procedurë të shqyrtimit dhe varen nga vendimi i shteteve anëtare”, ka thënë Berisha-Rizaj.

Sipas saj, pas kësaj date në gjyqësorin e Kosovës nuk do të ketë më as gjyqtarë e as prokurorë të misionit për sundimin e ligjit.

“Parashihet se më nuk do të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it në sistemin gjyqësor të Kosovës pas datës 14 qershor kur edhe mandati aktual skadon. Gjithashtu parashihet se Misioni do t’i mbajë disa aktivitete të monitorimit, në veçanti në lidhje me lëndët gjyqësore që tashmë janë në proces të transferimit tek gjyqësori i vendit”, ka theksuar ajo.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë sot për Indeksonline se EULEX-i nga mesi i qershorit nuk do të ketë më kompetenca ekzekutive. Sipas tij, roli i misionit në fjalë do të jetë vetëm këshillues.

“Me 14 qershor përfundon mandati i EULEX-it. Pra, do të jetë mekanizëm mbikëqyrës dhe këshillues për institucionet qe e zbatojnë ligjin”, ka thënë Tahiri.
Kujtojmë se ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për vazhdimin e mandatit këshillëdhënës të EULEX-it në Republikën e Kosovës. /Indeksonline/

Temat: