75 Mall Live Search
22:03 / E Mërkurë, 07 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Prokuroria e Kosovës dhe ajo e Serbisë vazhdojnë të shkëmbejnë kërkesa për vrasjen e Ivanoviq

Po bëhen afro 1 vit që nga dita kur në veri të Mitrovicës u vra lideri i iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” [SDP] në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Pavarësisht se ka kaluar mjaftë kohë e gjatë, para drejtësisë ende nuk kanë dalë personat përgjegjës, saktësisht autoritetet ende nuk kanë arritur t’i identifikojnë të dyshuarit e këtij krimi.

Lidhur me këtë rast, Indeksonline ka kontaktuar Ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri.

Sipas ministrit Tahiri, Qeveria e Kosovës ka ofruar mbështetjen e plotë për zbardhjen sa më të shpejtë të vrasjes së politikanit Ivanoviq.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, përkatësisht si Ministri e Drejtësisë kemi ofruar mbështetje të plotë për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të vrasjes së politikanit  Ivanoviq dhe presim që kryesit e këtij akti kriminal të dalin para drejtësisë sa më parë”, ka thënë Tahiri.

Tutje ministri ka shtuar se në këtë drejtim ka pasur shkëmbime kërkesash në mes të Prokurorisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë të cilat janë përcjellur përmes Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar për çështje penale, konform ligjeve në fuqi.

“Ndërsa sa i përket zhvillimi të procedurave të hetimit dhe fazën se ku gjinden, kjo është përgjegjësi e organeve të pavarura të zbatimit të ligjit dhe tejkalon limitet e mandatit tim për çfarë nuk mund të flas më shumë”, ka shtuar Tahiri.

Ndryshe në muajin korrik, Policia e Kosovës ka zhvilluar një takim me atë të Serbisë për herë të parë, ku arsyeja kryesore e diskutimeve ishte hetimi i vrasjes së Ivanoviq.

Takimi ishte ndërmjetësuar nga EULEX  duke u bërë e ditur se takime të tilla do të zhvillohen edhe më vonë./Indeksonline/