11:48 / E Martë, 11 Qershor 2019 / indeksADMonline

Gabimet në deklarimin e pasurisë, faji tek publikimi manual i tyre

Agjencia Kundër Korrupsionit ka përfunduar publikimin e deklarimeve të pasurisë së zyrtarëve publik, përcjellë Indeksonline.

Rreth 4 mijë e 700 zyrtarë të lartë publik janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre.

E siç, duket numri i madh i personave që kanë deklaruar pasurinë, ka bërë që të ketë gabime, kryesisht në të dhënat.

Se mund të ketë gabime eventuale e kanë pranuar edhe Agjencia Kundër Korrupsionit.

Në një përgjigjeje për Indeksonline, AKK ka bërë të ditur edhe shkaqet të cilat mund të ndikojnë në gabime të mundshme.

“Meqenëse të dhënat vendosen në sistem (në bazën e të dhënave) në mënyrë manuale, ka gjasa që të ketë ndonjë lëshim eventual. Faktorët të cilët mund të ndikojnë në ndonjë gabim eventual janë: fakti i vendosjes së të dhënave në sistem në mënyrë manuale, numri i madh i deklarimeve të pasurisë, mos leximi i shkrimit të zyrtarit, dërgimi i formularit të skanuar, të fotografuar, si dhe një pjesë e gabimeve që i bëjnë vet zyrtaret e lartë e pastaj kërkojnë të përmirësohen, etj”, thuhet në përgjigjejen e AKK-së.

Lidhur me këtë, kjo agjenci bën thirrje që të gjithë zyrtarët të kontrollojnë edhe njëherë të dhënat e paraqitura në sistem.

“Agjencia Kundër Korrupsionit vazhdimisht ka kërkuar nga të gjithë zyrtarët e lartë publik që t’i shikojnë dhe verifikojnë regjistrat e publikimit të deklarimit të pasurisë dhe në rastet kur vërejnë gabime të njoftojnë Agjencinë. Pas publikimit të formularëve të deklarimit të pasurisë në disa raste kemi pasur kontakte me zyrtarët e lartë publik dhe kemi evidentuar gabimet teknike eventuale që kanë mund të ndodhin gjatë regjistrimit të të dhënave në bazën e të dhënave”.

Një ndër gabimet, është tek deklarimi i pasurisë së kryetarit të komunës së Istogut, Haki Rugova.

Në pjesën ku deklarohet pasuria e gruas së Rugovës, thuhet se ajo merr pagë vjetore 300 euro. E që me një llogaritje të thjeshtë, i bie që Zonja e Parë e Istogut në muaj paguhet vetëm 25 euro.

Gabime të tilla janë bërë edhe në të kaluarën.

Madje, një zero më shumë, vitin e kaluar, deputeten e Listës Serbe, Jelena Bontic e kishte bërë milionere.

E ky gabim ishte përmirësuar më vonë.

Deklarimi i pasurisë ka nxjerrë në pah pasuritë, në disa raste, marramendëse të zyrtarëve të lartë në Kosovë. /Indeksonline/